Kapet drogë me vlerë milionëshe në Shqipëri, tre kosovarë po e sillnin në Kosovë

Është finalizuar operacioni policor i koduar “Anchor”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë, autoritetet doganore dhe strukturat e Kufirit dhe Migracionit.

Në kuadër të hetimit është goditur një rast i dyshuar i trafikimit ndërkombëtar të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Gjatë operacionit, në Portin e Durrësit u sekuestruan 127 pako me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC.

Sipas Policisë, vlera e lëndës narkotike në treg përllogaritet në rreth 1 milion euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.

Nga hetimet dyshohet se droga sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të modifikuar të një automjeti të porositur për blerje në Kanada. Pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike dyshohet se do të shpërndahej në Shqipëri dhe Kosovë.

Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan tre shtetas kosovarë: T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç dhe B. J., 40 vjeç. Ata dyshohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada. Edhe këta dyshohen për përfshirje në trafikimin e lëndës narkotike.

Sipas Policisë, nga hetimet e deritanishme dyshohet se personat e përfshirë kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e drogës.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë të rolit të secilit prej tyre. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

By admin7