“Konsullata shqiptare në Luginë është nevojë”/ Krerët e Luginës takohen me ministrin Hoxha

Hapja e një Konsullate të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës ishte një nga kërkesat e ngritura në takimin e Ardita Sinanit, me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Në takimin në Tiranë morën pjesë edhe deputeti Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Përmes një postimi, kryetarja e Preshevës tha se takimi ishte i drejtpërdrejtë dhe përmbajtësor, duke theksuar nevojën për një prani më të madhe institucionale të Shqipërisë dhe Kosovës në Luginë.

Sinani rikujtoi se hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc është kërkuar prej vitesh, duke e cilësuar atë si një hap konkret që do ta afronte shtetin shqiptar me qytetarët shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Sipas saj, pengesat që Serbia ka krijuar në realizimin e mbështetjes financiare të Kosovës për Luginën, vështirësitë në vizitat e zyrtarëve të Kosovës, si dhe sfidat në realizimin e mbështetjes nga Shqipëria, e bëjnë edhe më të rëndësishme praninë institucionale të Tiranës dhe Prishtinës në këtë rajon.

By admin7