Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë iniciativën e dorëzuar nga deputeti i Frontit Evropian Skender Rexhepi, lidhur me publikimin e një rregulloreje në Gazetën Zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve parashikon që të publikohet edhe në shqip. Për pretendimet e Rexhepit se me këtë është shkelur amendamenti 5 i Kushtetutës dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, gjyqtarja raportuese, Dobrilla Kacarska theksoi se Gjykata Kushtetuese është jokompetente për të vendosur se në çfarë gjuhe duhet të publikohen ligjet dhe aktet tjera juridike në Gazetën Zyrtare.
Thelbësore është se Gjykata Kushtetuese sipas kompetencës së saj të parashikuar në nenin 110 të Kushtetutës nuk ka kompetencë të vendos për atë si publikohen ligjet, dispozitat dhe ngjashëm. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve qartë parashikon se për mbikëqyrje të zbatimit konsekuent të Ligjit të Gjuhëve formohet Inspektorat për Përdorimin e Gjuhëve, si organ i specializuar në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë dhe njëkohësisht në vetë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve parashikohen edhe gjoba për shkeljen e këtij ligji. Mu për këtë, propozimi ynë është që ta hedh poshtë iniciativën”, deklaroi Dobrilla Kacarska, Gjykatëse Kushtetuese.
Ashtu sikur në shumicën e lëndëve ku preken çështjet etnike, gjyqtarët edhe sot ishin të ndarë. Gjyqtari Fatmir Skender kundërshtoi propozimin duke theksuar se me këtë veprim është shkelur Kushtetuta.
“Është fakt që për ne këtu është me rëndësi nga pikëpamja kushtetuese a është shkelur parimi për vakacio legis? A është publikuar rregullorja? A janë njoftuar të gjithë qytetarët ashtu siç parashikon Kushtetuta dhe ligji? Është fakt sipas bindjes time të thellë se është shkelje e të gjitha dispozitave kushtetuese edhe në lidhje me gjuhët edhe Ligjin për Ligjin e Gjuhëve ku detalisht tregon nga ligji për publikimin e dispozitave në Republikën e Maqedonisë”, tha Fatmir Skender, Gjyqtar Kushtetues.
Ndërkohë gjyqtari Osman Kadriu, madje shkoi një hap më tej duke vlerësuar se rregullorja nuk mund të llogaritet se është rregullore, meqenëse nuk është përmbushur kushti ligjor i publikimit edhe në gjuhën shqipe.
“Sipas dispozitave pozitive, por edhe sipas Kushtetutës, nuk është publikuar edhe në gjuhën shqipe, gjithashtu në këtë rast ne nuk kemi akt. Nuk kemi dispozitë juridike që është publikuar, pasi nuk është publikuar”, theksoi Osman Kadriu, Gjyqtar Kushtetues.
Në seancën e sotme mungoi gjyqtari Naser Ajdari, ndërsa gjyqtarët tjerë nuk morën pjesë në debat. Kryetari i Kushtetueses Darko Kostadinovski, kërkoi që të mos bëhet debat etnik, pasi siç tha, detyra e tyre është mbrojtja e Kushtetutës. /Alsat.mk



