Jotova për bullgarët në Maqedoni: Nuk do të heqim dorë nga ju, do t’i mbrojmë të drejtat tuaja

Presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, ka rihapur sërish çështjen e pozitës së bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar se Sofja nuk do të heqë dorë prej tyre dhe do të vazhdojë t’i mbrojë të drejtat e tyre.

“Nuk do të heqim dorë nga ju dhe do t’i mbrojmë të drejtat tuaja”, tha Jotova gjatë një fjalimi në Petrova Niva, në fshatin Stoilovo të Bullgarisë, ku mori pjesë në shënimin e 123-vjetorit të Kryengritjes së Ilindenit dhe Preobrazhenies.

Në fjalimin e saj, Jotova i lidhi marrëdhëniet aktuale maqedono-bullgare me çështjet historike, të cilat prej vitesh përbëjnë një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes.

Ajo pretendoi se sot për bullgarët në Maqedoninë e Veriut “flitet me shumë urrejtje dhe ndarje”, duke bërë thirrje që politikanët dhe shoqëritë t’i kundërshtojnë këto gjuhë.

Sipas Jotovës, historia mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është e përbashkët dhe nuk duhet të shërbejë si shkak për ndarje të reja.

“Çfarë ka për t’u ndarë mes dy vendeve?”, deklaroi ajo, duke vlerësuar se respektimi i të drejtave të njeriut nuk duhet të trajtohet si deklaratë politike.

Deklaratat e Jotovës vijnë në një periudhë kur Sofja vazhdon të kërkojë ndryshime në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe përfshirjen e bullgarëve në të, si pjesë e kushteve për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar garanci shtesë se ndryshimet eventuale kushtetuese nuk do të shoqërohen me kushte të reja në procesin e integrimit evropian.

Jotova nuk bëri të ditur ndonjë nismë të re konkrete politike ndaj Shkupit, por përsëriti qëndrimin se çështja e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut do të mbetet pjesë e politikës së Sofjes.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshëm, por nënvizoi se vëmendja duhet të jetë e orientuar edhe drejt së ardhmes. (INA)

By admin7