Dhjetë ditë para verdiktit historik: Mobilizim mbarëkombëtar në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

Kur na ndajnë vetëm dhjetë ditë nga verdikti historik ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë po shtohen tubimet mbështetëse, ndërsa në Hagë janë njoftuar masat për ndjekjen e seancës. Dhomat e Specializuara do ta shpallin vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 16 shtator.

Aktgjykimi pritet pas një procesi të stërzgjatur për akuza që lidhen me periudhën 1998–1999, gjatë luftës në Kosovë. Përgjatë gjithë procesit, mbështetja për ish-drejtuesit e UÇK-së jehoi me marshime e protesta nga Prishtina në Tiranë e deri në diasporë. Afrimi i orës së vendimit po bashkon sërish sheshet në Kosovë dhe hapësirat përpara gjykatës në Hagë.

“Pres lirimin nga çdo akuzë”, deklaroi Thaçi në një intervistë me shkrim të transmetuar më 20 gusht në emisionin “Debat Plus”, duke ripohuar qëndrimin që nga fillimi i procesit.

Interesimi për ta ndjekur aktgjykimin ka ndikuar edhe në organizimin brenda gjykatës. Për shkak të kërkesave të shumta dhe ulëseve të kufizuara, gjykata tha se “ishte e domosdoshme t’u jepej përparësi familjarëve të ngushtë”.

Gazetarët do të kenë në dispozicion edhe sallën e konferencave dhe qendrën e medias. Për publikun, seanca do të transmetohet në internet në shqip, anglisht dhe serbisht, me dhjetë minuta vonesë.

Në Kosovë, aktiviteti kryesor i paralajmëruar është “Marshi për Liri”, më 12 shtator, në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Platforma “Liria ka Emër” ka jetësuar nismën mbarëkombëtare “Kosova po pret”, duke i dhënë zë ndjeshmërisë publike përmes një vargu aktivitetesh ndërgjegjësuese.

Përfaqësuesit e saj kanë bërë të ditur se më 12 shtator, në orën 14:00, nga Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë do të nisë “Marshi për Liri”, manifestim masiv paqedashës vetëm pak ditë përpara leximit të verdiktit në Holandë.

Kalendari përfshin gjithashtu “Netët e Lirisë” – tubime përkujtimore rreth zjarreve simbolike në shtatë zonat operative të dikurshme të UÇK-së – si dhe ngritjen e flamujve kombëtarë e të emblemës së UÇK-së në çdo cep të vendit.

Kjo frymë tashmë ka nisur të përhapet në vatrat e dikurshme të rezistencës. Mbrëmjen e 5 shtatorit, në Llap u ndez “Zjarri i Lirisë” mes ish-komandantëve dhe veteranëve, ndërsa mbrëmjen e 6 shtatorit, në orën 19:00, është njoftuar tubimi i radhës në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.

Në Hagë, mbështetësit planifikojnë të mblidhen një natë përpara shpalljes së vendimit. Sipas planit, grumbullimi do të nisë në orën 22:00 të 15 shtatorit dhe do të vazhdojë deri në fillimin e seancës.

Prokuroria kërkon 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit, ndërsa mbrojtjet kërkojnë shpalljen e pafajësisë. Trupit gjykues i takon të përcaktojë nëse akuzat janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe të vlerësojë veçmas përgjegjësinë e secilit.

Ndërkohë, për Thaçin vazhdon edhe rasti për akuzat për “pengim të drejtësisë”. Deklaratat përmbyllëse në atë proces janë caktuar më 10, 11 dhe 14 shtator.

Gjykimi kryesor nisi zyrtarisht më 3 prill 2023, pas transferimit të të akuzuarve në Hagë në nëntor 2020. Paraqitja e provave u përmbyll më 18 dhjetor 2025, kurse fjalët përfundimtare u dëgjuan mes 9 dhe 18 shkurtit 2026, periudhë pas së cilës paneli gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar.

Zgjatjen e afatit për shpalljen e këtij aktgjykimi, gjykata e pati arsyetuar me vëllimin të materialeve, dosjeve dhe dëshmive që kërkonin shoshitje të thellë para fjalës së fundit.