Mbështetje e ulët për Trump

Niveli i mbështetjes për presidentin amerikan Donald Trump ishte afër pikës më të ulët të karrierës së tij, në një sondazh të Reuters/IPSOS që u mbyll një ditë para zgjedhjeve të mesmandatit.

Edhe pse emri i Trump nuk figuron në fletën e votimit, ndikimi i tij në këto zgjedhje mbetet tejet i madh.

Rreth 32% e të anketuarve u shprehën se e miratojnë punën që ai po bën në Shtëpinë e Bardhë; një shifër pak më e lartë se niveli më i ulët historik prej 31%, i regjistruar dy javë më parë.

Në sondazhin e Reuters, votuesit u shprehën se preferojnë demokratët përballë republikanëve, 46% kundrejt 38%.

Mes votuesve të regjistruar, rreth 50% e atyre jopartiakë thanë se e shihnin votën e tyre në zgjedhjet për Kongresin si një votë kundër Trumpit, ndërsa 13% thanë se ishte një votë pro tij, dhe 33% u shprehën se presidenti nuk ndikoi në vendimin e tyre për të votuar.

Rreth 78% e votuesve theksuan se rritja e kostos së jetesës do të jetë një çështje shumë e rëndësishme, ose madje çështja më e rëndësishme, në vendimin e tyre se për kë të votojnë.

Kur u pyetën se cila parti është më e aftë për të trajtuar këtë çështje, votuesit e anketuar zgjodhën Demokratët përballë Republikanëve, me një përqindje prej 43% kundrejt 32%.

Demokratët duket se shfaqin më shumë entuziazëm për të votuar, gjë që partia shpreson se do të përkthehet në një avantazh sa i përket pjesëmarrjes së votuesve.

Rreth 49% e votuesve demokratë u shprehën se janë “shumë entuziastë” për të votuar këtë vit, krahasuar me 33% të votuesve republikanë