Nënshkruhet Marrëveshja e Participimit për pjesëmarrjen e FSK-së në Gaza

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Komandantit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force -ISF) Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, dhe stafit të tij, në praninë e Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes, u nënshkrua Marrëveshja e Participimit ndërmjet përfaqësuesve të BoP/ISF Gaza dhe Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të këtij misioni.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, GJM Jeffers, në cilësinë e Komandantit të ISF Gaza, vlerësoi lart vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

Gjeneral Major Jeffers shprehu gjithashtu mirënjohjen për udhëheqjen e Kosovës dhe përkushtimin e treguar, duke vlerësuar angazhimin dhe lidershipin e institucioneve të Kosovës në mbështetje të këtij misioni.

Nga ana e tij, GLT Jashari falënderoi GJM Jeffers për vlerësimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.

KOMFSK theksoi se FSK synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me një objektiv të qartë strategjik, kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj. Duke kontribuar në mënyrë aktive në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë, së bashku me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës si kontribuuese aktive në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.