Emergjencë në qiell: Avioni i SunExpress devijohet në Shkup pasi bashkëpiloti pësoi probleme shëndetësore

Një fluturim i kompanisë ajrore SunExpress, nga Këlni drejt Antalias, është detyruar të ndryshojë itinerarin dhe të ulet në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, pasi bashkëpiloti ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë fluturimit.

Ngjarja ka ndodhur më 2 nëntor, kur ekuipazhi i avionit ka shpallur gjendje emergjente dhe ka kërkuar leje për ulje në Shkup. Avioni është ulur në mënyrë të sigurt në orën 05:06.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni ishte nisur nga Aeroporti Këln/Bon pak pas orës 03:00. Gjatë fluturimit mbi rajonin e Ballkanit, ekuipazhi aktivizoi kodin e emergjencës 7700, i cili përdoret për të sinjalizuar një situatë emergjente në aviacion.

Televizioni gjerman RTL raportoi se bashkëpiloti kishte pasur dhimbje barku dhe kokëdhimbje, për çka pas uljes në Shkup iu ofrua ndihma e nevojshme mjekësore. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Ndërkohë, për pasagjerët u organizua një fluturim alternativ. Ata vazhduan udhëtimin drejt Antalias me një avion tjetër, të tipit Boeing 737-800, i cili mbërriti në Shkup nga Vjena.

Si pasojë e devijimit dhe organizimit të fluturimit zëvendësues, pasagjerët arritën në destinacion rreth orës 16:20 sipas kohës lokale, në vend të orës 08:20, siç ishte paraparë në orarin fillestar.

Kompania SunExpress konfirmoi se devijimi ishte bërë për arsye mjekësore dhe theksoi se ulja në Aeroportin e Shkupit ishte realizuar pa probleme. Faktiditor.info