Familjarët vendosën pllakën përkujtimore për viktimat e modularit në Tetovë

Atë që nuk e bënë institucionet edhe pas një viti premtimesh, sot e bënë familjarët e 14 viktimave të spitalit modular. Përball vendit ku ndodhi ngjarja tragjike e 8 Shtatorit të para pesë viteve, vendosën një pllakë përkujtimore me inicialet e 14 viktimave. Familjarët vazhdojnë të shprehin revoltën e tyre kundër drejtësisë që, siç thonë ata, mungon në vendin tonë.

“Pesë vjet pas tragjedisë, ne ende nuk e kemi marrë drejtësinë që e meritojmë. Janë bërë hetime dhe ekspertiza, ndërsa ne ende nuk e dimë se kush është përgjegjës për djegien e 14 viktimave. Në vend që drejtësia të ishte në anën e viktimave, ne kemi një sistem që shpesh tregohet më i ashpër për qytetarët e zakonshëm se sa me njerëzit që janë në pushtet. Meqë shteti nuk mori mësim nga kjo ngjarje, qytetarët paguan një çmim ende më të madh, kësaj radhe në Koçan ku humbën jetët 63 persona”, u shpreh Mumin Ismaili, Familjar.
Ismaili tha se familjarët drejtësinë e munguar në shtetin e tyre, do e kërkojnë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.

“Ne kemi biseduar edhe me avokatët tanë që kemi këtu dhe kemi vendosur të ecim më tutje në gjykatat ndërkombëtare, pra do bëhet edhe kjo, do e kërkojmë drejtësinë ndërkombëtarisht”, tha Mumin Ismaili, Familjar.

Familjarët këmbëngulin se fajtorët e vërtet janë ministri i atëhershëm Filipçe e ish zv.kryeministri Angjushev, ndërsa kërkojnë nga drejtësia që të mos ndërpresë hetimet.
Pesë vite më parë, në orën 20 e 35 minuta, nga zjarri që shpërtheu në spitalin modular në Tetovë, jetën humbën 14 pacientë, në mesin e të cilëve edhe dy familjarë që në kohë të koronës, si pasojë e mungesës së kuadrit, kujdeseshin për familjarët e tyre të sëmurë./alsat.mk