Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar pesë raste të fruthit (morbileve) në Maqedoninë e Veriut. Të gjithë të infektuarit janë të pavaksinuar, ndërsa dy prej tyre janë foshnja që ende nuk kanë arritur moshën për vaksinim.
Instituti i Shëndetit Publik paralajmëron rrezik të shtuar për raste të reja, megjithëse aktualisht nuk ka përhapje të gjerë të sëmundjes në nivel vendi.
Simptomat e para zakonisht shfaqen 7–14 ditë pas infektimit dhe përfshijnë temperaturë, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe njolla të vogla të bardha brenda gojës. Pas disa ditësh shfaqen puçrra të kuqe, fillimisht në fytyrë, të cilat përhapen në trup.
Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë pneumoninë, inflamacionin e trurit, dehidratimin, dëmtimin e shikimit dhe, në raste të rënda, vdekjen.
Më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël, personat me imunitet të dobësuar dhe gratë shtatzëna.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për kontrollimin e statusit të vaksinimit, duke theksuar se vaksina MRP është mbrojtja më e sigurt kundër fruthit.



