BE i jep Ukrainës 4.36 miliardë euro ndihmë financiare dhe ushtarake

Ukraina ka marrë edhe 4.36 miliardë euro (4.9 miliardë dollarë) ndihmë financiare nga kredia mbështetëse prej 90 miliardë eurosh e Bashkimit Evropian për vitet 2026 dhe 2027, njoftoi të enjten Komisioni Evropian.

“Ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj të pandërprera, Ukraina është gati të hyjë në dimrin e saj të pestë të luftës. Dhe ndërsa vijojnë përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, po ashtu vazhdon edhe mbështetja e palëkundur e BE-së”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Lexo edhe:
Ora verore e përhershme mund të rrezikojë fëmijët, studimi zbulon: 2 miliardë udhëtime drejt shkollës në errësirë
Nga shuma e disbursuar, 3.7 miliardë euro janë ndihmë buxhetore për Kievin, ndërsa 658 milionë euro synojnë të financojnë blerjen e pajisjeve ushtarake, bëri të ditur Komisioni.

Pas pagesës së së enjtes, për këtë vit mbeten në dispozicion të Ukrainës 20.9 miliardë euro nga kredia mbështetëse, njoftoi Komisioni. Për vitin e ardhshëm janë parashikuar edhe 45 miliardë euro të tjera.

Pavarësisht angazhimeve të bllokut, Zelensky u tha liderëve të BE-së në tetor se Ukrainës i nevojiten edhe 70 miliardë euro të tjera në vitin 2027 “për mbrojtjen, për armët dhe për qëndrueshmërinë tonë”.

Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte deklaruar më parë se liderët e BE-së do të diskutojnë për ndihmë shtesë për Kievin në takimet e tyre të ardhshme. Samiti i ardhshëm i liderëve është planifikuar të mbahet javën e ardhshme në Dublin./DPA News