Politika gjermane është përballur me lajmin e vdekjes së papritur të Hubert Aiwanger, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë të Bavarisë. 55-vjeçari u gjet i pajetë në dhomën e tij të hotelit në Berlin, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Hubert Aiwanger, një nga figurat e njohura të politikës bavareze dhe kryetar i partisë “Votuesit e Lirë” (Freie Wähler), është gjetur i vdekur të mërkurën në mbrëmje në një hotel në Berlin.
Lajmi është konfirmuar nga Policia dhe Prokuroria e Berlinit, të cilat kanë nisur një procedurë hetimore për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e vdekjes, si dhe për të përjashtuar mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.
Vdekja e tij erdhi në rrethana të papritura. Aiwanger ishte paraparë të merrte pjesë në hapjen e zyrës së partisë së tij në Berlin, ku do të mbante edhe një fjalim. Megjithatë, ai e anuloi pjesëmarrjen për arsye shëndetësore.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, bashkëpunëtorët e tij kishin tentuar ta kontaktonin më vonë, por nuk kishin arritur të merrnin përgjigje. Ai u gjet më pas pa shenja jete në dhomën e hotelit.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e vdekjes. Hetimet nga Policia dhe Prokuroria e Berlinit janë në vazhdim.
Kush ishte Hubert Aiwanger?
Aiwanger ishte një nga drejtuesit kryesorë të partisë “Votuesit e Lirë” në Gjermani. Ai drejtonte këtë subjekt politik në Bavari që nga viti 2006, ndërsa në vitin 2010 ishte zgjedhur kryetar federal i partisë.
Në vitin 2008 hyri në parlamentin e Bavarisë, ndërsa që nga viti 2018 mbante postin e ministrit të Ekonomisë dhe zëvendëskryeministrit të këtij landi, në kuadër të koalicionit qeverisës me CSU-në.
Vdekja e tij është konfirmuar edhe nga Ministria bavareze e Ekonomisë, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij.
Aiwanger lë pas partneren e tij, Tanja Schweiger, dhe dy djemtë e tyre.



