Banka rajonale franceze Credit Mutuel Arkea ka rënë pre e një sulmi kibernetik, nga i cili janë kryer transaksione mashtruese me vlerë rreth 100 milionë euro.
Sipas bankës, hakerat arritën të depërtonin në llogaritë e institucionit financiar dhe të transferonin shuma parash drejt bankave të tjera.
Megjithatë, banka theksoi se llogaritë e klientëve nuk u prekën dhe asnjë prej tyre nuk pësoi humbje financiare.
Fondet e përvetësuara u konvertuan më pas në kriptomonedha përmes platformave të specializuara. Një pjesë e parave është bllokuar, ndërsa banka po përpiqet të rikuperojë pjesën tjetër.
Credit Mutuel Arkea përjashtoi mundësinë që transferimet të jenë shkaktuar nga gabime njerëzore, duke e cilësuar ngjarjen si një “sulm të sofistikuar nga jashtë”. Institucioni nuk dha detaje mbi mënyrën se si u realizua ndërhyrja apo identitetin e autorëve.
Ndërkohë, Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim zyrtar për rastin, i cili lidhet me një sulm ndaj një sistemi të automatizuar të përpunimit të të dhënave, të kryer nga një grup i organizuar.
Banka nuk konfirmoi shifrën prej 133 milionë dollarësh humbje, të raportuar nga gazeta “Le Telegramme”, por pranoi përmasat e konsiderueshme të dëmit. Ajo siguroi se shuma e përfshirë në sulm nuk përbën kërcënim për qëndrueshmërinë financiare të grupit.
Skemën e mashtrimit e bëri publike më herët gjatë javës edhe ZachXBT, një hetues i pavarur që gjurmon transaksionet në blockchain. Sipas tij, paratë e vjedhura u shpërndanë përmes disa llogarive të hapura në platforma të këmbimit të kriptomonedhave.
Banka Credit Mutuel Arkea kishte raportuar një fitim neto prej 230 milionë eurosh në gjysmën e parë të vitit.



