Nuk ka partneritete të përhershme në politikë, por as çdo takim nuk është marrëveshje politike!

Mundësia për zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk është diçka e pamundur. Edhe kryeministri Hristijan Mickoski kohët e fundit publikisht ka deklaruar se një mundësi e tillë ekziston.

Në politikë, komunikimi ndërmjet aktorëve politikë është krejt normal. Në shtete demokratike është e natyrshme që eksponentët politikë të takohen, të bisedojnë apo edhe të ulen për një kafe, pavarësisht nëse janë partnerë, rivalë apo kundërshtarë politikë. Takimi mund të jetë i planifikuar, por edhe krejtësisht i rastësishëm, dhe nuk duhet që çdo kontakt të interpretohet si sinjal për aderim, koalicionim apo marrëveshje të fshehtë.

Sidomos në sistemin tonë parlamentar, ku për çështje të caktuara kërkohet shumicë e dyfishtë, përfshirë Badinterin, komunikimi ndërpartiak është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve dhe tejkalimin e bllokadave.
E njëjta gjë vlen edhe për çështje që lidhen me ligjin dhe modelin zgjedhor.

Në politikë, marrëdhëniet politike ndryshojnë në varësi të rezultateve zgjedhore, interesave partiake dhe rrethanave politike. Prandaj, një takim apo komunikim nuk mund të merret si dëshmi e një marrëveshjeje politike, sepse një subjekt politik vlerësohet mbi bazën e politikave, rezultateve dhe besimit që gëzon te qytetarët.

Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është kur interesat e ngushta partiake vendosen mbi interesin shtetëror. Kjo, ndër të tjera, na ka sjellë edhe ngecje në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një shtet me demokraci funksionale, partitë duhet të konkurrojnë, por edhe të komunikojnë kur kjo i shërben shtetit.