“Liria Ka Emër” falënderon rreth 100 mijë qytetarë pas Marshit për Liri: Sytë e Kosovës drejt 16 shtatorit

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka falënderuar qytetarët që morën pjesë në Marshin për Liri në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një manifestim të madh, paqësor dhe dinjitoz në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka shprehur mirënjohje për rreth 100 mijë qytetarët që, iu bashkuan sot Marshit për Liri në Prishtinë.

Në një deklaratë pas marshit, platforma tha se qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, nga komunat e Kosovës dhe diaspora u bënë bashkë me një mesazh të vetëm: “Liri për çlirimtarët!”

“Liria Ka Emër” falënderoi familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, qytetarët, diasporën, artistët, sportistët, përfaqësuesit institucionalë e politikë, organizatat, bizneset, mediat dhe vullnetarët që kontribuuan në organizimin e marshit.

Sipas platformës, protesta ishte një dëshmi e solidaritetit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Marshi i sotëm ishte një mesazh i fuqishëm solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, por mbi të gjitha ishte një mesazh për të vërtetën, drejtësinë dhe historinë e Kosovës”, thuhet në postimin e platformës në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Platforma ka theksuar se vëmendja tash është përqendruar te 16 shtatori, duke përsëritur kërkesën për lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, njofton Klankosova.tv

“Tani sytë e Kosovës janë drejt 16 shtatorit. Atë ditë, kërkesa jonë është e qartë:Liri për Hashim Thaçin. Liri për Kadri Veselin. Liri për Jakup Krasniqin. Liri për Rexhep Selimin. Kosova ka pritur gjatë”.