Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit dhe ka paralajmëruar se nesër do ta dërgojnë edhe një kërkesë tjetër për vlerësim të kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë.
“Sapo e dërguam në Gjykatë Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshimit të procedurës së votimit të nënkryetarëve”, është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.
Ai ka thënë se besojnë që para vendimit Gjykata Kushtetuese të vendos masë të përkohshme.
“Është imediate që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptimin juridik e institucional sepse edhe Qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri, mund të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka thënë se edhe për secilin vendim që do të merret ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë deputeti i PDK-së Përparim Gruda ka paralajmëruar se të martën do ta dorëzojnë në Kushtetuese edhe një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë.
Të dielën është votuar Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës.
Tetë votat kundër erdhën nga deputetët e Listës Serbe, derisa ata të PDK-së, LDK-së e Aleancës nuk morën pjesë në seancë.
Votimit të Qeverisë i ka hapur rrugë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e mbajtur në orët e paradites.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e 11-të pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së. Kjo parti e ka bojkotuar vazhdimin e seancës me arsyetimin se janë shkelur ligjet e Kushtetuta.



