Shkruan:Nefail Emini
Huthitë kanë zgjeruar hapësirën e kontrollit të tyre në drejtim të Detit të Kuq, një zhvillim që mund të ketë pasoja të rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për ekonominë globale. Ky zgjerim territorial dhe strategjik ka rritur pasigurinë në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht për sa i përket sigurisë së furnizimeve energjetike dhe vazhdimësisë së qarkullimit të naftës dhe gazit natyror nga Lindja e Mesme drejt tregjeve globale.
Rëndësia e këtij zhvillimi lidhet veçanërisht me pozicionin strategjik të Jemenit dhe me kontrollin ose kërcënimin ndaj korridoreve kryesore detare që lidhin Gjirin Persik me Detin e Kuq dhe, përmes Kanalit të Suezit, me tregjet evropiane dhe globale. Në një situatë ku Ngushtica e Hormuzit është përfshirë në një krizë të rëndë dhe qarkullimi përmes saj është penguar, Bab el-Mandebi merr një rëndësi edhe më të madhe strategjike. Në këtë kontekst, aftësia e Huthive për të kërcënuar ose goditur anijet që kalojnë përmes kësaj ngushtice krijon një tjetër pikë presioni mbi tregtinë ndërkombëtare dhe rrjedhat energjetike.
Paralelisht, Huthitë kanë goditur edhe objektiva të lidhura me infrastrukturën energjetike dhe ekonomike të Arabisë Saudite, duke shtuar pasigurinë në tregjet energjetike dhe duke ekspozuar cenueshmërinë e infrastrukturës strategjike të vendeve të Gjirit. Për këtë arsye, shtrohen disa pyetje themelore: Kush janë në të vërtetë Huthitë? Pse Jemeni ka një rëndësi kaq të madhe gjeopolitike? Çfarë e shpjegon marrëdhënien e tyre me Iranin? Dhe cilat do të ishin pasojat rajonale dhe globale nëse ky grup do të konsolidonte më tej kontrollin e tij mbi territoret dhe korridoret strategjike të Jemenit?
Kush janë Huthit?
Ansar Allah, që në arabisht nënkupton “Mbështetësit e Zotit”, të njohur gjerësisht si Huthitë, përfaqësojnë një lëvizje politiko-ushtarake me rrënjë në traditën fetare Zejdite të Islamit shiit. Lëvizja u shfaq në Jemenin veriperëndimor dhe u konsolidua gjatë viteve 1990, ndërsa emërtimi “Huthi” lidhet me familjen dhe figurën e Hussein Badr al-Din al-Houthi, një klerik, aktivist dhe figurë politike Zejdite, i cili u bë simbol i hershëm i kësaj lëvizjeje.
Për të kuptuar origjinën e Huthive, duhet t’i referohemi historisë së komunitetit Zejdit në Jemen. Zejdizmi u vendos në Jemenin verior në shekullin IX dhe për shumë shekuj përbënte një nga bazat kryesore politike, shoqërore dhe fetare të këtij territori. Për një periudhë të gjatë, imamati Zejdit përbënte strukturën kryesore politike të Jemenit verior. Ky sistem u rrëzua në vitin 1962, kur imami – i cili ushtronte njëkohësisht autoritet politik dhe fetar – u përmbys nga pushteti dhe u vendos Republika Arabe e Jemenit.
Ndryshimi i sistemit politik nuk e zhduku konfliktin ndërmjet forcave republikane dhe mbështetësve të rendit të mëparshëm Zejdit. Përkundrazi, gjatë viteve 1960, Jemeni u përfshi në një konflikt të armatosur ku përplasja e brendshme u ndërthur me rivalitete rajonale dhe ndërhyrje të jashtme. Kjo trashëgimi historike mbeti një element i rëndësishëm në formësimin e identitetit politik dhe shoqëror të komunitetit Zejdit.
Huthitë u shfaqën gjatë viteve 1990 si një lëvizje e orientuar drejt ringjalljes dhe mbrojtjes së identitetit Zejdit, pjesërisht si reagim ndaj ndikimit në rritje financiar, politik dhe fetar të Arabisë Saudite në Jemen, por edhe ndaj politikave të regjimit të presidentit Ali Abdullah Saleh dhe perceptimit për korrupsionin dhe margjinalizimin e zonave veriore të vendit. Nën udhëheqjen e Hussein al-Houthit, lëvizja filloi të fitonte gjithnjë e më shumë mbështetje në mesin e komuniteteve lokale.
Pas vitit 2003, marrëdhëniet ndërmjet regjimit të Salehut dhe Huthive u përshkallëzuan ndjeshëm. Qeveria ndërmori disa operacione ushtarake kundër lëvizjes, ndërsa në vitin 2004 forcat qeveritare vranë Hussein al-Houthin. Megjithatë, vrasja e liderit nuk solli zhdukjen e lëvizjes. Përkundrazi, Huthitë u konsoliduan si një aktor politik dhe ushtarak gjithnjë e më i fuqishëm në veri të Jemenit.
Gjatë zhvillimeve të Pranverës Arabe në vitin 2011, Huthitë u përfshinë në procesin e protestave kundër regjimit të Salehut. Kriza politike dhe dobësimi i strukturave shtetërore krijuan një hapësirë të re për zgjerimin e ndikimit të tyre. Në këtë periudhë, ata arritën të siguronin qasje në një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve ushtarake dhe arsenaleve të shtetit.
Në vitin 2012, Ali Abdullah Saleh u largua nga presidenca dhe pushteti iu transferua zëvendëspresidentit të tij, Abd Rabbuh Mansur Hadi. Megjithatë, tranzicioni politik nuk arriti të krijojë një stabilitet të qëndrueshëm. Në vitin 2014, Huthitë krijuan një aleancë të përkohshme me Salehun dhe me elementë të forcave ushtarake që vazhdonin ta mbështesnin atë. Përmes kësaj aleance, ata avancuan me shpejtësi dhe morën kontrollin e kryeqytetit, Sanaas, si dhe të një pjese të konsiderueshme të territoreve veriore dhe perëndimore të Jemenit.
Forcat e Hadi-t u tërhoqën drejt jugut, ndërsa vetë presidenti u largua drejt Arabisë Saudite. Në këtë situatë, Huthitë konsoliduan një strukturë alternative të pushtetit dhe u shndërruan nga një lëvizje kryengritëse lokale në një aktor me kapacitete të konsiderueshme politike, territoriale dhe ushtarake.
Në vitin 2015, një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërhyri ushtarakisht në Jemen dhe filloi një fushatë ajrore kundër pozicioneve të Huthive. Konflikti u shndërrua kështu në një përplasje të shumëfishtë ku dimensioni i luftës civile u ndërthur me rivalitetet rajonale dhe interesat e aktorëve ndërkombëtarë.
Lufta në Jemen ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzore, shkatërrime të konsiderueshme infrastrukturore dhe një krizë të thellë humanitare, duke fragmentuar më tej strukturën politike dhe shoqërore të vendit. Në të njëjtën kohë, konflikti e ka shndërruar Jemenin në një nga hapësirat më të rëndësishme të rivalitetit gjeopolitik në Lindjen e Mesme.
Dallimi fetar ndërmjet Huthive dhe shiizmit iranian
Huthitë kanë origjinë kryesisht nga provinca Saada, në veriperëndim të Jemenit, dhe identifikohen me traditën Zejdite të shiizmit. Zejditë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë jemenase dhe historikisht kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm politik dhe shoqëror në veri të vendit. Shumica e ndjekësve të zejdizmit jetojnë në Jemen dhe zejditë përbëjnë rreth tetë për qind të 70 milionë shiitëve në mbarë botën.
Ashtu si degët e tjera të shiizmit, Zejditë i japin rëndësi të veçantë pasardhësve të Aliut, kushëririt dhe dhëndrit të Profetit Muhamed, në çështjen e udhëheqjes së komunitetit mysliman. Megjithatë, doktrina Zejdite ndryshon në aspekte të rëndësishme nga shiizmi Dymbëdhjetësh, i cili përbën traditën dominuese shiite në Iran. Zejditët, të njohur ndryshe edhe si “Pesëshat”, besojnë se Zejdi, stërnipi i Aliut ishte imami i pestë legjitim. Megjithatë, shiitët e sektit “Dymbëdhjetësh”e konsiderojnë vëllain e Zejdit, Muhamed al-Bakirin, si imamin e pestë. Zejditët nuk i njohin imamët e mëvonshëm.
Shiizmi Dymbëdhjetësh mbështetet në besimin te dymbëdhjetë imamët dhe në konceptin e imamit të dymbëdhjetë, i cili konsiderohet i fshehur dhe pritet të rikthehet si Mahdiu. Në mungesë të tij, tradita politike dhe juridike e shiizmit iranian ka zhvilluar një rol të rëndësishëm të autoritetit klerikal në interpretimin dhe zbatimin e normave fetare.
Zejdizmi, nga ana tjetër, nuk e pranon të njëjtën doktrinë të imamëve të pagabueshëm dhe nuk i njeh dymbëdhjetë imamët e traditës Dymbëdhjetëshe. Për Zejditë, pretendimi për udhëheqje politike dhe fetare lidhet më drejtpërdrejt me prejardhjen nga familja e Aliut dhe me aftësinë për të udhëhequr komunitetin.
Ky dallim është i rëndësishëm për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet Huthive dhe Iranit. Huthitë nuk janë thjesht një kopje fetare e modelit iranian dhe as nuk identifikohen plotësisht me doktrinën Dymbëdhjetëshe të shiizmit iranian. Marrëdhënia e tyre me Iranin duhet kuptuar përmes një kombinimi faktorësh fetarë, politikë, strategjikë dhe gjeopolitikë.
Huthitë si partner strategjik i Iranit
Irani ka pranuar publikisht mbështetjen e tij për Huthitë, të cilët në kuadër të analizave mbi politikën rajonale të Teheranit shpesh konsiderohen pjesë e rrjetit të gjerë të aktorëve të lidhur me atë që Irani e quan “Boshti i Rezistencës”. Në këtë kuadër, Huthitë kanë fituar një rëndësi të veçantë për strategjinë rajonale iraniane për shkak të pozicionit gjeografik të Jemenit dhe aftësisë së tyre për të ushtruar presion mbi rrugët detare ndërkombëtare.
Marrëdhënia Iran–Huthi nuk duhet parë vetëm përmes dimensionit fetar. Ajo lidhet edhe me interesat strategjike të të dyja palëve. Për Iranin, prania dhe kapacitetet ushtarake të Huthive krijojnë një mundësi për të zgjeruar presionin ndaj kundërshtarëve të tij rajonalë, veçanërisht ndaj Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera të Gjirit, si dhe ndaj pranisë dhe interesave amerikane në rajon.
Për Huthitë, mbështetja iraniane ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve të tyre ushtarake dhe në rritjen e aftësisë për të vepruar përtej kufijve të konfliktit të brendshëm jemenas. Për këtë arsye, marrëdhënia ndërmjet Teheranit dhe Huthive mund të kuptohet si një marrëdhënie e ndërthurur ndërmjet mbështetjes së jashtme, interesave të përbashkëta strategjike dhe autonomisë së vetë lëvizjes Huthi.
Rëndësia e Huthive është rritur edhe më tej në kontekstin e krizës rreth Ngushticës së Hormuzit. Nëse Hormuzi përbën një nga pikat kryesore të kalimit të naftës dhe gazit nga Gjiri Persik drejt tregjeve botërore, Bab el-Mandebi përfaqëson një tjetër nyje kritike për transportin detar ndërmjet Oqeanit Indian, Detit të Kuq dhe tregjeve evropiane e globale.
Në këtë kuptim, një kërcënim i njëkohshëm ndaj Hormuzit dhe Bab el-Mandebit do të krijonte një situatë të jashtëzakonshme për tregtinë ndërkombëtare. Nëse një pjesë e konsiderueshme e qarkullimit energjetik detyrohet të devijohet në rrugë alternative, pasojat mund të shfaqen përmes rritjes së kostove të transportit, sigurimit detar dhe çmimeve të energjisë, si dhe përmes shtimit të pasigurisë në tregjet ndërkombëtare.
Kjo e bën Bab el-Mandebin veçanërisht të rëndësishëm në strategjinë rajonale. Kontrolli i drejtpërdrejtë i kësaj ngushtice nuk është domosdoshmërisht i nevojshëm për të krijuar pasoja ndërkombëtare; mjafton që një aktor i armatosur të ketë kapacitetin për të kërcënuar ose ndërprerë qarkullimin detar përmes saj.
Në të njëjtën kohë, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike saudite përbëjnë një dimension tjetër të rëndësishëm të kësaj strategjie. Tubacioni Lindje–Perëndim i Arabisë Saudite, i cili lidh zonat prodhuese të naftës në lindje me portet e vendosura në bregun e Detit të Kuq, është ndërtuar pikërisht për të krijuar një alternativë ndaj transportit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Prandaj, cenueshmëria e kësaj infrastrukture ka një rëndësi të veçantë strategjike. Nëse njëkohësisht kërcënohen edhe rrugët detare të Detit të Kuq, atëherë reduktohen alternativat që vendet e Gjirit mund të përdorin për të shmangur pikat e ngushta të sistemit global të transportit energjetik.
Në këtë mënyrë, Huthitë i ofrojnë Iranit një kapacitet të rëndësishëm për të ushtruar presion indirekt mbi mjedisin strategjik të Lindjes së Mesme. Nga kjo perspektivë, përdorimi i Huthive si një aktor i armatosur me aftësi për të kërcënuar korridoret detare dhe infrastrukturën energjetike i krijon Iranit mundësinë për të ushtruar presion mbi kundërshtarët e tij pa qenë i detyruar të përfshihet drejtpërdrejt në çdo përplasje. Kjo është një nga karakteristikat kryesore të strategjisë së fuqisë indirekte që është zhvilluar në Lindjen e Mesme gjatë dekadave të fundit.
Nëse Huthitë do të arrinin të konsolidonin më tej kontrollin e tyre territorial dhe ushtarak në zonat strategjike të Jemenit, veçanërisht përgjatë bregdetit të Detit të Kuq, rëndësia e tyre do të tejkalonte ndjeshëm dimensionin e konfliktit të brendshëm jemenas. Ata do të mund të shndërroheshin në një faktor të qëndrueshëm të sigurisë detare dhe energjetike në një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë ndërkombëtare. Në këtë kuptim, çështja e Huthive nuk duhet të analizohet vetëm si pjesë e luftës civile në Jemen apo e rivalitetit Iran–Arabia Saudite.
Jemeni, për rrjedhojë, nuk përbën vetëm një periferi të konfliktit të Lindjes së Mesme. Pozita e tij gjeografike e vendos atë në një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit global të energjisë dhe tregtisë. Pikërisht për këtë arsye, konsolidimi i mëtejshëm i Huthive në Jemen mund të ketë pasoja që tejkalojnë kufijtë e këtij vendi dhe të ndikojnë në sigurinë rajonale, tregtinë ndërkombëtare dhe arkitekturën globale të sigurisë energjetike.



