Policia gjermane shpall në kërkim të riun nga Vushtrria, dyshohet se privoi nga jeta një 15-vjeçar

olicia gjermane ka shpallur në kërkim publik 23-vjeçarin Albin Bejtullahu, shtetas kosovar nga Vushtrria, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e një 15-vjeçari në qytetin Marsberg të Gjermanisë.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 19 shtator, rreth orës 20:30. Sipas Policisë së Dortmundit dhe Prokurorisë së Arnsbergut, pas një përleshjeje, 15-vjeçari ka pësuar plagë të rënda nga mjet i mprehtë dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes, raporton Bild.

Në të njëjtën përleshje, një 18-vjeçar nga Marsbergu ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar për trajtim në spital, përcjell Insajderi.

Policia gjermane ka publikuar fotografitë e dy të dyshuarve, Albin Bejtullahut, 23-vjeçar, dhe Alex Olntasit, 22-vjeçar, të cilët janë nga Hamm dhe ndodhen ende në arrati. Për të dy është lëshuar urdhër-arresti nën dyshimin për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.

Albin Jetullahu

Sipas autoriteteve gjermane, përleshjes fatale i ka paraprirë një konflikt verbal mes dy të dyshuarve dhe një grupi personash nga Marsbergu dhe Rütheni, pjesë e të cilit ishin edhe dy viktimat. Më pas situata ka eskaluar në përleshje fizike.

Policia dhe prokuroria kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e dy të dyshuarve, ndërsa kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ekziston rrezik për publikun.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.