Eisenkot i ashpër me Netanyahun: Të ikë si kryeministër, ka vjedhur zgjedhjet

Lideri i opozitës izraelite, Gadi Eisenkot, ka kërkuar largimin e Benjamin Netanyahu nga drejtimi i qeverisë, duke e akuzuar atë dhe rrethin e tij të ngushtë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.

Reagimi i tij vjen pas publikimit të një raporti nga televizioni izraelit Channel 12, sipas të cilit zyra e kryeministrit në largim dyshohet se ka përdorur policinë dhe shërbimet e inteligjencës për të goditur përfaqësues të partive arabe në prag të zgjedhjeve të 27 tetorit. Eisenkot, të cilit i është besuar formimi i qeverisë së re, deklaroi se Netanyahu nuk mund të qëndrojë “as edhe një minutë tjetër në krye të qeverisë”, duke e cilësuar sjelljen e tij si një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë izraelite.

Sipas raportimit të Channel 12, shefi i kabinetit të Netanyahut, Ido Norden, kishte paraqitur një ankesë pranë zyrës së komisionerit të policisë kundër anëtarëve të partisë Lista e Bashkuar Arabe (Ra’am), një ditë përpara zgjedhjeve. Ai dyshohet se i kishte orientuar efektivët drejt një burimi të pretenduar informacioni, i cili më parë kishte punuar në zyrën e kryeministrit. Bazuar në këto të dhëna, rreth 14 policë bastisën pa mandat banesat e tre anëtarëve të partisë dhe i arrestuan me dyshimin për ryshfet në këmbim të nxitjes së votimit.

Megjithatë, të tre u liruan pasi policia konstatoi se informacioni i marrë nga burimi nuk kishte baza. Raporti pretendon gjithashtu se kreu i shërbimit të brendshëm të inteligjencës Shin Bet, David Zini, kishte kërkuar autorizimin për të përgjuar pesë deputetë palestinezo-izraelitë gjatë ditës së zgjedhjeve, por kërkesa ishte refuzuar nga zyra e prokurorit të përgjithshëm.

Pas publikimit të këtyre pretendimeve, Eisenkot kërkoi një hetim të menjëhershëm dhe sqarimin e plotë të rolit të policisë dhe Shin Bet në këtë çështje. Ai ka akuzuar më herët Netanyahun se gjatë fushatës zgjedhore nxiti një klimë raciste dhe të dhunshme ndaj qytetarëve palestinezë të Izraelit, me qëllim ruajtjen e pushtetit. Nga ana tjetër, partia Likud e Netanyahut i cilësoi deklaratat e liderit të opozitës si nxitje të papranueshme kundër kryeministrit.

Pavarësisht përplasjes së fortë, dy kampet kanë zhvilluar bisedime për mundësinë e krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar. Netanyahu e përsëriti ofertën për një bashkëqeverisje të tillë, por Eisenkot e quajti atë një përpjekje për të fituar kohë. Megjithatë, ai konfirmoi se përfaqësues të partisë së tij, Yashar, dhe të Likud kanë diskutuar propozimin. Asnjëri prej dy kampeve nuk ka siguruar deri më tani 61 mandatet e nevojshme për krijimin e qeverisë së re.