Përplasje mes fuqive të mëdha për kreun e OKB-së, gara hyn në fazën vendimtare

Gara për zgjedhjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara po hyn në javët e fundit, mes përplasjeve diplomatike dhe rivalitetit mes fuqive të mëdha botërore.

Tetë kandidatë janë në garë për të zëvendësuar Antonio Guterres, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor, por deri tani asnjëri nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, SHBA-ve, Rusisë, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe. Për herë të parë ekziston edhe mundësia që viti i ri ta gjejë organizatën pa një drejtues të ri të zgjedhur, ndërsa kandidaturat e fundit nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia e kanë bërë garën edhe më të paparashikueshme.

Në krye të garës renditet diplomatja nga Kosta Rika, Rebeca Grynspan, e cila në sondazhin e fundit jozyrtar të Këshillit të Sigurimit mori 12 vota mbështetëse dhe tri kundërshtuese. Pas saj renditet kandidati argjentinas Rafael Grossi, drejtues i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, me nëntë vota mbështetëse.

Megjithatë, Grynspan përballet me rezerva nga Uashingtoni dhe Moska, ndërsa Grossi shihet si tepër i afërt me SHBA-të, gjë që mund t’i kushtojë mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Në garë janë edhe diplomatë nga Guajana, Antigua dhe Barbuda, Ekuadori, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia, por disa prej tyre kanë marrë numër të lartë votash kundërshtuese.

Kandidatura e diplomates nga Emiratet, Lana Nusseibeh, thuhet se gëzon mbështetjen e SHBA-ve dhe Rusisë, por përballet me kundërshtime për akuzat lidhur me furnizimin me armë të forcave paraushtarake në Sudan, pretendime që Abu Dhabi i ka mohuar.

Ndërkohë, kandidati turk Feridun Sinirlioglu ka hasur kundërshtimin e pritshëm të Greqisë. Procesi zhvillohet përmes votimeve sekrete në Këshillin e Sigurimit, ku kandidati duhet të marrë të paktën nëntë vota nga 15 anëtarët dhe të mos përballet me veton e asnjërit prej pesë anëtarëve të përhershëm. Më pas, zgjedhja duhet të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Përplasjet për pasuesin e Guterres pasqyrojnë edhe krizën më të gjerë me të cilën po përballet organizata, e kritikuar për ndikimin e kufizuar në konfliktet ndërkombëtare, nën presionin e administratës amerikane dhe e goditur nga vështirësitë financiare që kanë detyruar shkurtimin e mijëra vendeve të punës. Analistët vlerësojnë se rivalitetet mes fuqive të mëdha po e vështirësojnë arritjen e një konsensusi, ndërsa zvarritja e procesit mund të kufizojë kohën që drejtuesi i ri do të ketë në dispozicion për përgatitjen e marrjes së detyrës.

Nëse deri më 31 dhjetor nuk zgjidhet pasuesi, Karta e OKB-së nuk parashikon një zëvendësues automatik, duke e lënë në dorë të organeve të organizatës gjetjen e një zgjidhjeje për drejtimin e saj.