Sipas raportimeve të autoriteteve mbrëmë ish-luftëtari i UÇK-së Fadil Pushkolli është ndaluar në pikën kufitare Bllacë, mbi bazën e një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.
Ky rast kërkon përgjigje të menjëhershme nga VLEN.
Më 15 mars 2025, Izet Mexhiti deklaronte publikisht se ishte arritur marrëveshje që ish-ushtarët e UÇK-së të mos ndaloheshin më në kufijtë e Maqedonisë së Veriut dhe premtonte një zgjidhje sistemore, ligjore dhe të përhershme.
Një çerek shekulli në pushtet e në funksione publike, ndërsa Izet Mexhiti ende i’u flet shqiptarëve me premtime për “zgjidhje të përhershme”. Sot, realiteti po dëshmon diçka tjetër.
Çfarë ndodhi me atë marrëveshje?
Sepse ky nuk është rasti i parë. Blerim Ramadani u arrestua në korrik të vitit 2024. Emin Bajrami u ndalua në shkurt të vitit 2025. Sot kemi rastin e Fadil Pushkollit.
VLEN duhet t’i tregojë opinionit publik se çfarë vlere kanë premtimet e tyre kur ish-pjesëtarë të UÇK-së vazhdojnë të përballen me fletëarreste të lëshuara nga Serbia në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Kërkojmë nga institucionet kompetente transparencë të plotë për rastin e Fadil Pushkollit, respektimin e të gjitha të drejtave të tij dhe sqarim të menjëhershëm mbi bazën juridike të ndalimit.
Nga VLEN kërkojmë një përgjigje shumë të thjeshtë: ku mbeti “zgjidhja e përhershme” që ia premtuan opinionit publik?
Pushteti matet me atë që realizon, jo me atë që premton.



