SPAK zbuloi 9 faqe me të dhëna sekrete të SHISH në makinën e Agasit, biznesmeni: I lash me qëllim

Detaje të reja janë zbardhur pas arrestimit të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës SPAK caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Sipas Report Tv, Prokuroria e Posaçme ka gjetur në makinën e Ergys Agasit, 9 faqe word me diagrame, dokumente sekrete të Shërbimit Informativ Shtetëror, gjatë kontrolleve që u ushtruan në “Equos Resort” më datë 22 korrik.

Po ashtu bëhet me dije se biznesmeni i arretsuar për abuzimet me tenderët e AKSHI-t në seancë ka pranuar se dokumentet i përkisnin atij dhe se i kishte lënë me qëllim që t’i gjente SPAK.

Vlora Hyseni u pezullua nga detyra e drejtueses së SHISH dhe ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” si person në hetim për dy vepra penale, nxjerrje e sekretit hetimor dhe përkrahje të autorit të krimit.

Hyseni dyshohet se me informacione sekrete ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t.

Pas bërjes publike të akuzave, reagoi edhe Kryeministri Edi Rama nga SHBA, ku ndodhet në OKB. Ai bëri me dije se Hyseni do të largohej nga detyra, ndërsa Bajram Begaj miratoi dekretin për shkarkimin e menjëhershëm të saj nga drejtimi i SHISH.