Përkundër sfidave të shumta, UÇK-ja e kishte arritur më parë legjitimitetin ndërkombëtar dhe partneritetin me NATO-n; tanimë presim që disa nga krerët e UÇK-së ta fitojnë edhe betejën për drejtësi në Hagë, siç e fituan më parë Limaj dhe Haradinaj.
Për më tepër, UÇK-ja, me komandantin e saj ushtarak emblematik, Adem Jasharin, dhe përfaqësuesin e saj të përgjithshëm politik emblematik, Adem Demaçin, së bashku me Lëvizjen Paqësore, të udhëhequr nga vizionari dhe misionari i paqes, Ibrahim Rugova, arritën, në mënyrë komplementare, ta vendosnin çështjen e Kosovës — të mbetur e pazgjidhur që nga viti 1912 — në agjendën ndërkombëtare për zgjidhje dhe, me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, si dhe me mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze), ato shërbyen si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke mos harruar asnjëherë rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, me ShBA-në në krye, dhe duke qenë mirënjohës për të, jemi njëherësh të vetëdijshëm se nuk ka popull që është çliruar krejtësisht vetë, as shtet që është formuar krejtësisht vetë, pa ndihmën, në një masë më të madhe ose më të vogël, të të tjerëve.



