Dje, media në gjuhën shqipe njoftuan se është mbajtur një takim në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, ku përfaqësues të Albanian American Relations Council (AARC) ngritën shqetësime serioze për gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedonia e Veriut gjatë një takimi me zyrtarin amerikan David M. Maher.
Sipas AARC-së, “zhvillimet e fundit në vend tregojnë për një erozion të vazhdueshëm të të drejtave gjuhësore dhe një cënim të frymës së Marrëveshja e Ohrit, e cila konsiderohet themel i bashkëjetesës ndëretnike në vend”.
Por, shmangia e faktit se këta zotërinj të AARC-së e kanë anashkaluar problemin shqiptar duke e mbrojtur MO, e cila është pikërisht ajo nyja gordiane e problemit.
Kërma e Marrëveshjes së Ohrit e sanksionuar edhe në kushtetutë, është marrëveshja e gabuar në vendin e gabuar që denigron dhe përdhos gjuhën dhe identitetin shqiptar si gjuhë e 20%, ku dhe preambula e kushtetutës i trajton shqiptarët si pakicë e papërfillshme, megjithse përbëjmë mbi 30% të popullsisë së përgjithshme!
Ndaj, zotërinj të nderuar të AARC-së nëse nuk e dini duhet ta mësoni, se implementimi dhe respektimi i MO nuk është zgjidhja e drejt e barazisë mes shqiptarëve dhe sllavëve në Severnistan, ku njëri bllok etnik siç janë sllavo-maqedonët mban dhe ruan supremacinë e shtetit dhe të pushtetit mbi bllokun tjetër në këtë rast shqiptarët, të cilët kanë vetëm “çelësat e kashtës”!
MO si testament ndërkombëtar nuk e njeh gjuhën shqipe me emër por të supozuar me shifra.
Ajo marrëveshje e njëanshme e imponuar nga ndërkombëtarët dhe e miratuar nga partiçkat tona bashkë me krahun e luftës, nuk i solli lirinë dhe barazinë shqiptarëve, përkundrazi, e cënon identitetin tonë kombëtar dhe gjuhësor me nofkën e turpit si 20%, një emërtim ofendues ky që nuk e ka vendin në kushtetutë.
Kërkesat lypsare të partiçkave tona qeramane para bllokut sllavo-maqedon kanë dështuar, ku bllokimi i procesit eurointegrues ndodhi pikërisht për mosgatishmëria e ndryshimeve kushtetuese dhe mosgatishmëria e bllokut sllavo-maqedon për mos ta shlyer nofkën e turpit siç është 20%, janë një barrierë e pakapërcyeshme me justifikimin se ato ndryshime i bëkan gjëmën državës, ku shihet si hapje e “Kutisë së Pandorës”!
Prandaj, meqë partiçkat tona rrumpalla si djemtë plëngëprishës, për hir të pushtetit i janë dorëzuar pushtetarëve komitë dhe i kanë lënë shqiptarët në mëshirën e komitëve të premierit Micko, ju përfaqësues të AARC-së e keni rastin që mund ta ngrini këtë çështje në Departamentin e Shtetit, sesi MO nuk është model i lirisë dhe barazisë mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonëve në državën e Severnistanit, por një arnë e vjetër që nuk qepet më!
Shqiptarët e kësaj treve të Ilirisë së lashtë nuk e meritojnë përdhosjen e identitetit gjuhësor dhe kombëtar si nofka përmes shifrave dhe jo me emrin e vërtetë si gjuha shqipe, ku palë me pushtetin në këtë degradim kombëtar janë bërë edhe subjekteve tona politike papërjashtim, duke u shërbyer despotëve të Shkupit në këto tri dekada të demonkraturës sllave mbi shqiptarët!
Një marrëveshje e re shqiptaro-maqedone është domosdoshmëri e kohës, ku dy popujt më të mëdhenj do të përbëjnë sistemin e ri në kushtetutën e re mes dy kombeve të barabarta, në të kundërtën, vazhdimi i këtij sistemi që i trajton shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë, do të ngre pikëpyetje të mëdha te shqiptarët, ku nuk do garantojnë më të ardhme për Severnistanin që mbahet dhe jeton mbi kurrizin tonë.
Medai Shaholli

