“Dhuratë ditëlindjeje për Putin-in”, Zelensky revoltohet me Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka arritur një marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, për furnizimin e SHBA-ve dhe tregjeve botërore me naftë dizel nga Rusia.

Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe nga politikanë amerikanë, të cilët e cilësojnë marrëveshjen si një ndihmë për ekonominë ruse dhe luftën kundër Ukrainës.

Trump njoftoi marrëveshjen të premten, 9 tetor, përmes rrjetit të tij social, Truth Social, duke deklaruar se Rusia do të furnizojë menjëherë tregjet me mbi 300 mijë tonë naftë dizel, ndërsa 500 mijë tonë të tjera do të dërgohen gjatë nëntorit. Më pas, sipas tij, do të pasojnë edhe sasi të tjera, deri në disa milionë tonë.

Presidenti amerikan tha se marrëveshja synon të ulë shpejt çmimet e karburanteve, të cilat janë rritur ndjeshëm pas vendimit të tij për të nisur luftën kundër Iranit. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani ka ndërprerë një nga rrugët kryesore të transportit të naftës në botë, përmes së cilës kalonte rreth 20% e furnizimit global përpara luftës.

Çmimi mesatar i karburantit në SHBA ka arritur në 4.20 dollarë për gallon, ndërsa nafta dizel u rrit muajin e kaluar në një rekord prej 6.52 dollarësh për gallon. Rritja e çmimeve ka shtuar presionin politik ndaj Trump dhe republikanëve, përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor. Nafta dizel është veçanërisht e rëndësishme për transportin e mallrave dhe bujqësinë, ndaj shtrenjtimi i saj ndikon edhe në çmimet për konsumatorët.

Zelensky: Marrëveshja është një dhuratë për Putinin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e kritikoi ashpër marrëveshjen, duke e cilësuar si një vendim të padrejtë dhe të papranueshëm.

Në një intervistë për Axios, ai tha se marrëveshja dukej si një “dhuratë për ditëlindje” për Putinin, i cili mbushi 74 vjeç në fillim të javës.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky paralajmëroi se marrëveshja përbën një investim në një luftë që duhet të përfundojë, jo të zgjatet. Sipas tij, të ardhurat nga shitja e naftës do t’i mundësojnë Rusisë të vazhdojë luftën dhe të kryejë më shumë sulme.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si u trajtua pala ukrainase gjatë bisedimeve. Sipas një deklarate të ambasadës ukrainase në Washington, negociatorët e Kievit u përdorën si mbulesë për arritjen e marrëveshjes mes Trump dhe Putin-it.

“Ky nuk është një vendim i drejtë dhe sigurisht që nuk është mënyra se si duhet të trajtojnë njëri-tjetrin partnerët”, deklaroi Zelensky.

Kritika nga demokratët dhe republikanët

Marrëveshja është kundërshtuar edhe nga politikanë amerikanë, të cilët argumentojnë se ajo bie ndesh me përpjekjet e Uashingtonit për të kufizuar të ardhurat e Rusisë që financojnë luftën në Ukrainë.

Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, së bashku me dy senatore të tjera demokrate, e akuzoi Trump se po dështon të ulë kostot për amerikanët, të mbrojë vendin nga kundërshtarët dhe të zbatojë ligjin.

Kritika erdhën edhe nga radhët e republikanëve. Kongresmeni Don Bacon deklaroi se mbështetja e ekonomisë ruse është moralisht e gabuar, pasi Moska përdor të ardhurat për të financuar sulmet ndaj qyteteve.

Ligji i nënshkruar nga Trump muajin e kaluar i jep administratës amerikane mundësinë të vendosë sanksione ndaj bankave, zyrtarëve dhe cisternave ruse, si dhe tarifa ndaj vendeve që importojnë naftë dhe gaz nga Rusia.

Megjithatë, ligji i lejon presidentit të bëjë përjashtime nga këto masa.

Marrëveshja vjen në një moment tensionesh

Njoftimi u bë ndërsa të dërguarit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit, po zhvillonin takime në Miami me zyrtarë ukrainas dhe evropianë për propozimet që synojnë përfundimin e luftës.

Marrëveshja rrezikon të përkeqësojë më tej marrëdhëniet mes Washingtonit, Kievit dhe aleatëve evropianë të NATO-s, në një kohë kur shqetësimet për veprimet e mundshme ushtarake të Rusisë kundër vendeve të aleancës janë shtuar.

Trump ka kritikuar së fundmi Ukrainën për sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës dizel, duke i kërkuar Zelensky-t të zgjedhë objektiva të tjera. Presidenti ukrainas e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke deklaruar se Ukraina do të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse vetëm nëse Moska pranon masa të ndërsjella për uljen e tensioneve.

Marrëveshja për naftën vjen gjithashtu në një kohë kur Rusia akuzohet se po mbështet Iranin në luftën kundër SHBA-ve, duke i ofruar të dhëna satelitore për pozicionet e forcave amerikane, anijet, avionët dhe bazat ushtarake.

Sipas raportimeve, Moska i ka dhënë Teheranit edhe pjesë për dronë dhe municione.

Kjo e bën marrëveshjen veçanërisht të debatueshme, pasi administrata Trump po kërkon të ulë çmimet e karburanteve në SHBA përmes bashkëpunimit me Moskën, ndërsa Rusia vazhdon të mbështesë një kundërshtar të Washingtonit dhe të luftojë kundër Ukrainës.