Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar të ndajnë me Ukrainën informacione të rëndësishme të inteligjencës për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër sulmeve ruse me raketa, pas një ndërprerjeje të shkurtër.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falenderoi Uashingtonin, megjithatë kritikoi marrëveshjen e naftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, duke thënë se nëse këto dy vende bëhen bashkë, Kievi nuk do mund të fitojë.
Ukraina është mbështetur te informacionet nga Shtetet e Bashkuara për të diktuar raketat balistike me shpejtësi të lartë, me të cilat Rusia ka sulmuar qytetet ukrainase.
Zelensky zhvilloi bisedime edhe me të dërguarit amerikan Jared Kushner dhe Steve Witkoff dhe tha se ekipet e të dyja vendeve janë në komunikim të vazhdueshëm.
Presidenti amerikan Donald Trump gjithashtu deklaroi se është duke negociuar paqen midis Rusisë dhe Ukrainës dhe se po bëhet “përparim i madh”, por shtoi se Zelensky “nuk dëshiron t’i japë fund kësaj lufte”.
“Zelensky po i përdor rafineritë e naftës në Rusi si objektiv, duke e ditur se këto sulme po dëmtojnë rëndë tregjet botërore të naftës, përfshirë edhe ato në Shtetet e Bashkuara,” tha Trump.
Zhvillimet diplomatike erdhën teksa sulmet e të dyja vendeve nuk janë ndalur.
Sulmet shkaktuan alarm edhe në Lituani, ku të dielën banorët në zonat veriore dhe qendrore u detyruan të futeshin nëpër strehimore, pasi një dron shpërtheu në hapësirën ajrore të vendit.



