Teoricieni politik rus Aleksandër Dugin ka reaguar sërish për zhvillimet në Shqipëri, këtë herë duke bërë thirrje për një bashkim të shqiptarëve dhe serbëve kundër asaj që ai e cilëson si elita globaliste të Bashkimit Evropian.
“Serbët dhe shqiptarët duhet të luftojnë së bashku kundër globalistëve të BE-së”, shkroi Dugin në platformën X, në një mesazh që vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ndikimin rus në protestat e ditëve të fundit.
Në një tjetër postim, Dugin shkroi “Rënia e madhe evropiane…”, ndërsa në një të tretë përdori shprehjen “Pranvera arabe = vjeshta evropiane. Rënia e Perëndimit”.
Mesazhet pasojnë reagimin e tij të mëparshëm, në të cilin e paraqiste popullin shqiptar si një komb që po rizbulonte identitetin historik dhe shpirtëror, duke iu referuar traditës ortodokse, islamit sufi dhe prejardhjes indoevropiane.
“Shqiptarët janë indoevropianë (ilirë). Një popull shumë i fortë. Shumë të krishterë ortodoksë. Islam i thellë sufi gnostik”, shkroi ai në një tjetër postim.
Deklaratat e reja marrin rëndësi të veçantë pas akuzave të Ramës, i cili gjatë një takimi me Policinë e Shtetit e lidhi interesimin e Dugin për protestat me përpjekjet ruse për të ndikuar në zhvillimet e brendshme të Shqipërisë.
“Nuk është aspak rastësi që ‘babai’ ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin, del dhe përshëndet kombin shqiptar”, deklaroi Rama.
Kryeministri pretendoi gjithashtu se pas protestave qëndron një valë ndikimi rus në rrjetet sociale, përmes mijëra profileve të rreme, duke përmendur edhe ndërhyrje të ngjashme nga Irani.
Akuzat sollën reagimin e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila kundërshtoi pretendimet për përfshirjen e Moskës dhe Teheranit në protesta.
“Jo, Edi Rama, janë qytetarët e vendit Tuaj që kanë dalë në rrugë në protestë, dhe Ju nuk duhet t’i hidhni fajin të tjerëve. Rregulloni vetë problemet Tuaja të brendshme”, deklaroi Zakharova, në një reagim të shpërndarë edhe nga Ambasada ruse në Shqipëri.
Thirrja e fundit e Dugin për një front të përbashkët shqiptaro-serb kundër globalistëve të BE-së e zhvendos retorikën e tij nga identiteti fetar dhe historik drejt një mesazhi të drejtpërdrejtë gjeopolitik, në përputhje me kundërshtimin e tij ndaj rendit liberal perëndimor. /AP



