Ish-kampioni i botës në shah dhe kritiku i Kremlinit, Garri Kasparov, ka deklaruar se përpjekjet aktuale për të nisur negociata paqeje me presidentin rus, Vladimir Putin, janë të pakuptimta, pasi sipas tij, lideri rus nuk ka ndërmend ta ndalë luftën kundër Ukrainës.
Në një intervistë për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë (REL), të dhënë më 11 tetor në Varshavë, Kasparov tha se përpjekjet ndërkombëtare duhet të përqendrohen në ndihmën për Ukrainën që ta fitojë luftën. Sipas tij, një fitore e Ukrainës mund të çojë në rënien e regjimit të Putinit dhe të krijojë mundësi të reja për vendosjen e demokracisë në Rusi.
“Një gjë është kur bisedimet kanë mundësi ta zgjidhin problemin përmes lëshimeve të ndërsjella. Planet e Putinit nuk kanë ndryshuar. Ai i ka vënë vetes si qëllim ta zhdukë Ukrainën si shtet të pavarur dhe nuk ka hequr dorë nga ky synim”, tha Kasparov.
Pas tërheqjes nga shahu, Kasparov u bë një nga zërat më të njohur të opozitës ruse, përpara se të largohej nga vendi më 2013. Ai jeton në Shtetet e Bashkuara dhe drejton Forumin e Rusisë së Lirë, organizatë që e themeloi më 2016.
Kasparov bëri të ditur se autoritetet amerikane e kanë paralajmëruar së fundmi për një plan të Kremlinit për ta vrarë.
Duke folur për REL-in në Varshavë, ai theksoi se forcat politike ruse në mërgim duhet t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen e Ukrainës për ta fituar luftën.
Në këtë drejtim, organizata e tij ka mbledhur rreth 15 milionë dollarë për projekte të ndryshme në Ukrainë.
“Jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me Legjionin e Rusisë së Lirë dhe Korpusin Vullnetar Rus”, tha Kasparov, duke iu referuar dy grupeve të armatosura ruse që kanë luftuar në anën e Ukrainës.
“Ne mbledhim fonde për këtë qëllim”, shtoi ai.
Kasparov foli edhe për përpjekjet e tij për të lobuar në Kongresin amerikan në mbështetje të Ukrainës. Ai pretendoi se grupi i tij kishte arritur në një rast t’i bindte 15 republikanë që t’i ndryshonin votat e tyre, megjithëse ky pretendim nuk u konfirmua në mënyrë të pavarur.
Ish-kampioni i shahut ka shprehur gjithashtu shqetësimin se Rusia mund të jetë duke përgatitur një formë të përshkallëzimit të agresionit kundër vendeve të NATO-s.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur zyrtarë perëndimorë kanë ngritur shqetësime për një fushatë të mundshme hibride ruse, që përfshin ndërhyrje me dronë, sabotime dhe përpjekje për atentate. Kremlini i ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në incidente për të cilat është akuzuar nga zyrtarët perëndimorë.
Kasparov argumentoi se lufta kundër Ukrainës është pjesë thelbësore e ideologjisë mbi të cilën mbështetet pushteti i Putinit. Sipas tij, kjo dëshmohet nga buxheti i madh ushtarak i Rusisë dhe propaganda zyrtare.
“Ose Ukraina do të dorëzohet përballë sulmeve ndaj popullsisë së saj civile, ose do të mbijetojë dhe më pas regjimi rus do të shembet”, tha ai.
Kasparov theksoi se rënia e regjimit nuk do të thotë se problemet e Rusisë do të zgjidhen menjëherë, por do të krijonte një mundësi për ndryshime politike.
“Kjo nuk do të thotë se nesër gjithçka do të jetë në rregull në Rusi. Por shembja e regjimit gjithmonë nënkupton një mundësi”, deklaroi ai.
Kasparov tha se lufta i ka dhënë strukturës së pushtetit të Putinit një valë të re mbështetësish, duke përmendur përfshirjen e veteranëve të luftës në Dumën Shtetërore, dhomën e ulët të parlamentit rus.
Sipas tij, qindra apo mijëra veteranë të tjerë mund të jenë duke u integruar edhe në institucione të tjera shtetërore.
Megjithatë, sondazhet e opinionit publik gjatë këtij viti kanë treguar rënie të mbështetjes për Putinin, ndërsa lufta është zgjatur, numri i viktimave është rritur dhe sulmet ukrainase ndaj rafinerive, depove dhe qendrave të të dhënave kanë ndikuar gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme në Rusi.
Kasparov beson se humbja e Rusisë në Ukrainë do ta ndryshonte rrënjësisht klimën politike dhe shoqërore në vend.
“Madje besoj se shumica dërrmuese e rusëve mund të ishte e gatshme ta pranonte demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha ai.
Sipas Kasparovit, dështimi në luftë do t’i detyronte rusët të reflektonin mbi alternativa të tjera politike.
“Më duket se dështimi në luftë në mënyrë të pashmangshme do t’i detyrojë njerëzit të mendojnë për alternativa më të mira”, përfundoi ai.



