Kryetarit të Komunës, Bilall Kasami, i ka kërkuar të heqë dorë nga ajo që e cilëson si tjetërsim të pronës publike, ndërsa kryesuesit të Këshillit Komunal, Jusuf Abduli, i ka kërkuar ta tërheqë pikën përkatëse nga rendi i ditës
Tetovë, 20 tetor – Kostot e parashikuara dhe mënyra e shfrytëzimit të pronës publike në projektin për parcelën e zjarrfikësve në Tetovë janë vënë në pikëpyetje nga Agron Arifi, këshilltar i iniciativës “Më Mirë për Tetovën”. Ai kërkon rishqyrtimin e studimit të fizibilitetit dhe tërheqjen e pikës nga rendi i ditës së Këshillit Komunal, duke pretenduar se projekti favorizon investitorin privat në dëm të interesit publik. Sipas Arifit, projekti parashihet të realizohet përmes partneritetit publiko-privat, ndërsa përllogaritjet në studimin e fizibilitetit ngrenë dyshime për mbivlerësim të kostove të ndërtimit. Ai e ka cilësuar projektin si skemë të “shit-vjedhjes” së pronës publike dhe ka drejtuar kritika ndaj udhëheqësisë komunale, në krye me Bilall Kasamin.
Një nga zërat që Arifi ka kontestuar është shuma prej 350 mijë eurosh për rrënimin e objektit ekzistues dhe largimin e materialit. Sipas dokumentacionit të cilit ai i referohet, objekti ka sipërfaqe prej 885 metrash katrorë. “E përsëris, 350 mijë euro vetëm për prishje”, ka deklaruar Arifi, duke kërkuar sqarime për mënyrën e përllogaritjes së kësaj kostoje. Ai ka vënë në pikëpyetje edhe shumën prej gjashtë milionë eurosh të parashikuar për betonin e armuar të objektit të ri. Sipas tij, kjo përllogaritje, sikurse edhe vlera e përgjithshme e investimit, tejkalon çmimet e tregut.
Duke iu referuar vlerësimeve të inxhinierëve të ndërtimit, Arifi pretendon se ndërtimi i objektit, me sipërfaqen e përcaktuar në studim, nuk do të kushtonte më shumë se 13 milionë euro. Në studimin e fizibilitetit, sipas tij, është përllogaritur një vlerë prej 28,5 milionë eurosh. Për të ilustruar shqetësimet për kostot dhe realizimin e projektit, këshilltari ka përmendur ndërtimin e Teatrit të Tetovës. Ai pretendon se në këtë objekt janë investuar rreth 40 milionë euro, ndërsa punimet nuk kanë përfunduar as pas më shumë se një dekade. Arifi u ka bërë thirrje Rametulla Feratit dhe Nedime Sallait, të cilët i ka përmendur si hartues të studimit të fizibilitetit, të tërhiqen nga dokumenti. Sipas tij, përllogaritjet e paraqitura kërkojnë rishqyrtim profesional dhe transparencë të plotë.
Kryetarit të Komunës, Bilall Kasami, i ka kërkuar të heqë dorë nga ajo që e cilëson si tjetërsim të pronës publike, ndërsa kryesuesit të Këshillit Komunal, Jusuf Abduli, i ka kërkuar ta tërheqë pikën përkatëse nga rendi i ditës. Njëkohësisht, ai u është drejtuar këshilltarëve që të mos mbështesin vendime që, sipas tij, mund të cenojnë interesin e qytetarëve. “Nuk do të lejojmë që në emër të investimit të keqpërdoret pa hesap buxheti i tetovarëve dhe pasuria jonë e përbashkët të përfundojë në xhepat e privatit”, ka deklaruar Arifi.
Ai ka kërkuar që projekti dhe kostot e tij t’i nënshtrohen shqyrtimit publik, duke theksuar se çdo keqpërdorim eventual duhet të marrë përgjigje institucionale dhe ligjore.



