Nafta ulet dy denarë për litër; masa do të mbetet në fuqi deri më 2 nëntor.

OKTA vazhdon me masat për mbështetjen e tregut vendas të karburanteve, duke aplikuar një zbritje të përkohshme prej dy denarësh për litër naftë. Kjo zbritje hyn në fuqi sot, më 20 tetor, dhe do të mbetet në fuqi deri më 2 nëntor 2026.

Ulja vlen për naftën që OKTA AD – Shkup u furnizon shitësve me shumicë dhe atyre me pakicë. Çmimet përfundimtare me pakicë do të vazhdojnë të përcaktohen nga vetë tregtarët, në përputhje me politikat e tyre tregtare dhe kushtet aktuale të tregut, transmeton Faktiditor.info

Kjo masë është pjesë e një sërë nismash që kompania ka zbatuar që nga marsi i vitit 2026, me qëllim zbutjen e ndikimit të paqëndrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e stabilitetit dhe konkurrueshmërisë së tregut vendas të karburanteve.

Me këtë zbritje të re, vlera totale e mbështetjes që OKTA i ka ofruar tregut vendas që nga marsi i këtij viti pritet të arrijë në rreth tetë milionë euro. Kompania thekson se ky veprim riafirmon përkushtimin e saj për të mbështetur konsumatorët, bizneset dhe ekonominë në përgjithësi gjatë periudhave të paqëndrueshmërisë së theksuar në treg /Faktiditor.info/