Protestat në Indi, të rinjtë përdorin humorin digjital

Një zhanër i ri lojërash politike në internet po përhapet me shpejtësi virale në Indi, ku të rinjtë po përdorin satirën dhe humorin digjital për t’iu përgjigjur bllokadave policore.

Ky trend nisi pas protestave masive të udhëhequra nga të rinjtë për çështje si papunësia, skandalet me rrjedhjen e tezave të provimeve dhe rishikimet e listave zgjedhore.

Disa nga lojërat kryesore që po qarkullojnë dhe që luhen direkt në browser games përfshijnë:

“Jantar Mantar Chalo” (Të shkojmë në Jantar Mantar): E zhvilluar nga inxhinieri i IT-së 27-vjeçar Suraj Kushwah, kjo lojë multiplayer 3D satirizon vështirësitë që kanë protestuesit për të mbërritur në sheshin kryesor të protestave në Nju Delhi.

Lojtarët mund të zgjedhin të bëhen protestues që shmangin postblloqet, gazin lotsjellës dhe topat e ujit, ose të kalojnë në anën e policisë për të ndaluar protestuesit.

“Çfarëdo që po ndodhte në vend, unë u përpoqa ta përshkruaj atë. Kishte kaq shumë njerëz që mundoheshin të shmangnin policinë, duke u përpjekur të arrinin në Jantar Mantar. Kështu që fillova të imagjinoja një lojë 3D. Të paktën 2,000 njerëz kanë luajtur lojën në çdo moment të kohës që nga lëshimi i saj në 14 tetor”, tha inxhinieri Suraj Kushwah.

“Bhaag Neha Bhaag” (Vrapo Neha Vrapo): Një lojë platformë e stilit retro 8-bit, e krijuar nga vëllezërit Anav dhe Akshay Nayar. Ajo ka si protagoniste aktivisten e krahut të majtë Neha Bora dhe bazohet në arrestimet e saj të shpeshta nga policia.

Lojtarët kërcejnë mbi barrikada dhe mbledhin monedha të emërtuara “Demokracia”.

Ne, si artistë, kemi besuar gjithmonë se satira është mënyra më e fuqishme për të folur për gjëra serioze, tha 30-vjeçari Anav Nayar, i cili bashkë-zhvilloi lojën me vëllain e tij, Akshay.

Sipas Reuters, këto lojëra u frymëzuan nga lëvizja rinore e quajtur “Cockroach” (Buburreci). Ky emërtim nisi fillimisht si një shaka në rrjet pas disa komenteve fyese ndaj të rinjve të papunë.

Kur qeveria zbatoi një bllokim të plotë të internetit dhe transportit rreth zonës qendrore të Nju Delhit për të ndaluar tubimet, protestuesit përdorën aplikacione komunikimi përmes Bluetooth.