Tensione të reja mes Trumpit dhe Zelenskyt

„Ne i kemi dhënë shumë Ukrainës, ndërsa ajo nuk na ka dhënë asgjë“: Presidenti amerikan Trump ashpërson tonet ndaj Zelenskyt. Nga ana tjetër, presidenti ukrainas akuzon SHBA-në se po frenon dërgesat e armëve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka akuzuar Ukrainën se nuk ka dhënë asgjë në këmbim të mbështetjes amerikane. „Ne i kemi dhënë shumë Ukrainës, ndërsa ajo nuk na ka dhënë asgjë. Mos e harroni këtë”, tha ai në Uashington. Me këtë Trump e e rrit edhe më tej presionin ndaj presidentit ukrainas.

Sipas Trumpit, në vend të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, negociatat e paqes me Rusinë duhet t’i zhvillojë dikush tjetër. „Ndoshta ka ardhur koha që Zelensky t’ia lërë negociatat dikujt tjetër”, u tha Trump gazetarëve.

Vetë pak kohë më parë, Trump kërkoi largimin e presidentit ukrainas nga posti. Rusia po sillet „në rregull” në lidhje me Ukrainën dhe „nuk po bën shumë”, shtoi Trump. Ai u shpreh gjithashtu i hapur ndaj mundësisë së një takimi trepalësh me kreun e Kremlinit, Putin, dhe presidentin kinez Xi, në kuadër të takimit të vendeve të APEC-ut në Kinë, në nëntor.

Zelensky ankohet për vonesat në dërgimin e raketave të mbrojtjes ajrore

Ndërkohë, Zelensky u ankua se Uashingtoni po frenon dërgesat e armëve. Vonesat në furnizimin me armë dhe kufizimet në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës janë „të vështira për t’u shpjeguar mes miqsh”, tha ai gjatë një takimi me një delegacion të Kongresit amerikan.

Sipas Zelenskyt, ministri i Mbrojtjes Pete Hegseth nuk po miraton dërgimin e raketave „Patriot” dhe raketave të tjera të mbrojtjes ajrore, megjithëse vendet e NATO-s i kanë paguar tashmë ato. Përmes të ashtuquajturit mekanizëm PURL, vendet e NATO-s dhe aleatët e tyre mund të blejnë në SHBA paketa armësh për Ukrainën. Sipas Zelenskyt, për një prej dërgesave mungon ende firma e ministrit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth. „E gjithë kjo tregon se është marrë një vendim politik për të zvogëluar mbështetjen ndaj nesh”, tha Zelensky.

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes i hodhi poshtë këto pretendime. Ai i tha agjencisë gjermane të lajmeve dpa se nuk ka pasur asnjë ndryshim në programin përmes të cilit vendet e NATO-s blejnë armë amerikane për Ukrainën. E njëjta gjë vlen edhe për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës. Por Zelensky u ankua se ushtria ukrainase, gjatë sulmeve ruse me raketa balistike, kishte mbetur „për tri ditë” pa qasje në informacionet e inteligjencës amerikane, gjë që, sipas tij, e kishte dobësuar vendin. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i hodhi poshtë këto akuza. /DW