The Times: Trupat britanike në Ukrainë do të kenë të drejtë të hapin zjarr nëse sulmohen nga Rusia

Rreth 3 mijë trupa nga vendet pjesë e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” pritet të zhvillojnë stërvitje ushtarake në Poloni, në kuadër të përgatitjeve për një vendosje të mundshme në Ukrainë pas arritjes së një armëpushimi me Rusinë.

Sipas gazetës britanike “The Times”, Forca Shumëkombëshe për Ukrainën (MNF-U) mund të dislokohet në terren brenda një muaji nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes.

Zyrtarët perëndimorë e përshkruajnë misionin si mbrojtës, por theksojnë se ushtarët do të kenë të drejtë të kundërpërgjigjen me armë në rast se forcat ruse sulmojnë kontingjentin ndërkombëtar.

Megjithatë, numri i trupave që pritet të angazhohen mund të jetë dukshëm më i ulët se ai që Ukraina e konsideron të nevojshëm për të garantuar sigurinë dhe për të penguar një sulm të ri rus.

Fillimisht, zyrtarët ushtarakë britanikë kishin propozuar dislokimin e rreth 64 mijë trupave në Ukrainë, një shifër shumë më e lartë se kontingjenti prej rreth 3 mijë ushtarësh që pritet të marrë pjesë në stërvitjet në Poloni.