Dy aksidente zinxhirore në Bullgari, dhjetëra automjete të përplasura

Ka persona të lënduar në dy aksidentet e rënda zinxhirore që ndodhën të martën në mëngjes në autostradën “Trakia”, në zonën e nyjës Zimnica – Draganci. Me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Ivan Demerxhiev, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryekomisari Ljubomir Nikollov, dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Kallojan Kallojanov, janë nisur drejt vendit të aksidentit të rëndë.

Siç është bërë e ditur më herët, dhjetëra automjete janë përplasur. Në autostradën “Trakia” ka dy aksidente zinxhirore, në të dy drejtimet.

Policia e Jambollit saktëson se njoftimi është pranuar rreth orës 07:10 – fillimisht për një aksident zinxhiror në kilometrin 289 në drejtim të Burgasit, ndërsa një minutë më vonë për një aksident të dytë zinxhiror në korsinë në drejtim të Sofjes.

Zëvendësdrejtori i spitalit të Jambollit, dr. Valentin Vallçev, njoftoi se është bërë organizimi i nevojshëm, përfshirë edhe njësinë e ndihmës ajrore. Është aktivizuar sistemi BG-Alert.

Fotografitë e shpërndara nga shoferët tregojnë minibusë, kamionë, autobusë dhe shumë vetura.

Shkaku më i mundshëm i aksidenteve është mjegulla e dendur në atë zonë.

Qarkullimi në të dy drejtimet është ndërprerë në pjesën ndërmjet nyjës Zimnica dhe nyjës Kabile dhe rregullohet nga punonjës të policisë. Policia e Slivenit po e devijon trafikun e autostradës “Trakia” afër Nova Zagorës, në drejtim të Banjave Minerale të Slivenit dhe rrugës Sofje – Burgas./racin.mk