Shkon në 11 të vdekur dhe 50 të lënduar nga aksidenti zinxhiror në Bullgari

11 persona kanë humbur jetën në një aksident trafiku ku janë përfshirë dhjetëra automjete, në të dyja anët e një segmenti të autostradës të mbuluar nga mjegulla në lindje të Bullgarisë, të martën, ka bërë të ditur kryeministri Rumen Radev.

Policia, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës kanë shkuar me urgjencë në vendin e aksidentit në autostradën A1, e cila lidh kryeqytetin Sofje me qytetin lindor të Burgasit. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë makina dhe kamionë të grumbulluar në gjashtë korsi të autostradës. Shumë prej tyre ishin të shkatërruara, të përmbysura ose kishin dalë jashtë rrugës, raporton Reuters.

Sipas Ministrisë së Brendshme, 50 persona të lënduar janë dërguar në spital.

Radev e cilësoi aksidentin si një “tragjedi”, në një deklaratë gjatë vizitës në Bullgari të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai tha se kishte vënë në dispozicion mjete ajrore për evakuimin e të lënduarve dhe se planifikonte të vizitonte vendin e aksidentit.

Von der Leyen tha se do ta shkurtonte vizitën e saj. “Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe të nderoj ekipet e shpëtimit”, tha ajo.

Duke folur para gazetarëve në vendin e aksidentit, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Lyubomir Nikolov, tha se mjegulla dyshohet të ketë qenë shkaku i aksidentit, i cili nisi me përplasjen mes një autobusi dhe një kamioni në anën e autostradës që çon drejt Burgasit.

Inspektori i përgjithshëm Todor Mishinev nga Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Jamboll i tha televizionit Nova se disa persona ende ndodheshin të bllokuar në automjetet e tyre

“Për momentin, përparësi kanë operacionet e shpëtimit. Pasi ato të përfundojnë, do të zhvillohen veprimet procedurale dhe hetimore”, tha ai.