Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, duke theksuar rritjen e kostos së jetesës në Kosovë, tha se Qeveria mund të prezantojë shifra miliardëshe, por realiteti matet me koston e konsumit familjar dhe se “matet me koston që çdo vikend familja paguan në arkën e marketeve”.
Deklarata e Hotit vjen pasi Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2027, i cili arrin shifrën rekord prej 4.27 miliardë euro.
“Buxheti nuk matet me shifrat në letër, por me cilësinë e jetës së qytetarëve. Në pesë vitet e fundit, sipas ASK-së, kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45%, ndërsa për shumë produkte të konsumit familjar çmimet gati janë dyfishuar. Kur çmimet dyfishohen, jeta e qytetarëve bëhet më e vështirë. Propaganda për sukses ekonomik nuk e mbush shportën e konsumit të familjeve”, tha Hoti.
Ai shtoi se debati që duhet të bëhet në Kuvend me rastin e diskutimit të buxhetit 2027-2029 duhet të përqendrohet në këto çështje:
-Çfarë ka ndodhur me koston e jetës së qytetarëve?
-Kush mban përgjegjësi për këtë dhe
-Çfarë mund të bëhet për të lehtësuar këtë barrë?



