Shkruan: Kastriot Sylejmani
Në vitin 1880, Mbretëresha britanike Victoria i dhuroi presidentit amerikan Rutherford B. Hayes një tavolinë të punuar nga druri i anijes britanike HMS Resolute.
Anija britanike, pasi ishte bllokuar nga akulli në Arktik, ishte braktisur nga ekuipazhi i saj. Në vitin 1855, ajo u gjet nga një anije amerikane. Amerikanët e rikthyen në gjendje pune dhe ia kthyen Britanisë si gjest miqësie.
Kur anija doli jashtë përdorimit, Mbretëresha urdhëroi që nga druri i saj të punohej një tavolinë për presidentin amerikan.
Sot, kjo tavolinë njihet si Resolute Desk. Ajo është një nga objektet më të njohura të Shtëpisë së Bardhë dhe është përdorur nga pothuajse të gjithë presidentët amerikanë, me disa përjashtime.
Kur Barack Obama erdhi në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën Ovale vendosi dy buste: atë të Martin Luther Kingut dhe të Abraham Lincolnit.
Edhe kjo nuk ishte një zgjedhje thjesht dekorative. Lincoln përfaqësonte luftën historike kundër skllavërisë, ndërsa Martin Luther Kingu luftën për të drejtat civile dhe barazinë racore.
Një objekt, qoftë tavolinë, pikturë, skulpturë apo vepër artizanale, i vendosur në zyrën e një presidenti mund të tregojë shumë për mënyrën se si një shtet e kupton historinë, identitetin dhe trashëgiminë e vet.
I nisa me këto dy histori, ndonëse shembuj të tillë nëpër botë ka plot, për të treguar se vendosja e një punimi filigrani në zyrën pritëse të presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, nuk është as e kundërligjshme dhe as tradhti kombëtare.
Ekspozimi i filigranit në Presidencë nuk e cenon, nuk e përbuz dhe nuk e nënvlerëson Kosovën si shtet apo shqiptarët si komb. Përkundrazi, është një mënyrë për të përfaqësuar një pjesë të trashëgimisë sonë kulturore dhe mjeshtërinë e trashëguar ndër breza.
Filigrani është një nga zejet artizanale më të njohura dhe më të rafinuara në traditën shqiptare.
Zbulimet arkeologjike në rajonin e Ballkanit dëshmojnë për tradita të hershme të përpunimit artistik të metaleve, përfshirë edhe teknikat e filigranit.
Në trojet shqiptare, Prizreni dhe Shkodra u shndërruan në qendra të rëndësishme të kësaj mjeshtërie.
Kosova ka bazë juridike që rregullon përdorimin e simboleve shtetërore dhe përfaqësimin protokollar të institucioneve.
Ndër aktet kryesore janë Ligji për Protokollin e Shtetit, Ligji për Përdorimin e Simboleve Shtetërore dhe Rregullorja për kriteret e përzgjedhjes dhe vendosjes së fotografisë së Presidentit.
Ligji për Përdorimin e Simboleve Shtetërore përcakton tri simbolet zyrtare të Republikës së Kosovës: flamurin, stemën dhe himnin shtetëror.
Megjithatë, në aktet juridike nuk rezulton ndonjë katalog që përcakton në mënyrë se cilat fotografi të figurave historike, piktura, skulptura, punime artizanale apo objekte të trashëgimisë kulturore duhet ose nuk duhet të ekspozohen në ambientet e Presidencës.
Pra, përtej simboleve zyrtare dhe detyrimeve protokollare, ekziston hapësirë që institucionet e shtetit të përfaqësojnë edhe kulturën, historinë dhe trashëgiminë e vendit.
Megjithatë kjo nuk do të thotë se çdo vendim për rregullimin e hapësirave institucionale është domosdoshmërisht i qëlluar. Por kritika duhet të mbështetet në argumente dhe jo të shndërrohet në akuza subjektive.



