Meghan Markle shfaqet për herë të parë në publik pas akuzave ndaj të atit

Meghan Markle është shfaqur për herë të parë në publik pas lajmeve për akuzat ndaj babait të saj, Thomas Markle, i cili dyshohet për posedim të materialeve që përmbajnë imazhe të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Dukesha e Sussex-it mbërriti të martën në Parlamentin Evropian në Bruksel, së bashku me bashkëshortin e saj, Princ Harry, për të marrë pjesë në një aktivitet që synon rritjen e sigurisë së fëmijëve në internet.

Meghan pritej të mbante edhe një fjalim gjatë aktivitetit, por në momentin e fundit është tërhequr, duke ia lënë këtë detyrë bashkëshortit të saj. Sipas burimeve pranë çiftit, dy javët e fundit kanë qenë emocionalisht të vështira për Meghan dhe Harry-n.

Babai i Meghan-it, Thomas Markle, ndodhet aktualisht në arrest shtëpie dhe nën mbikëqyrje elektronike, pasi u paraqit në gjykatë në Florida të premten, ku u akuzua për posedim të imazheve që paraqesin abuzim seksual ndaj fëmijëve. Ai i ka mohuar më parë këto akuza.

Meghan nuk ka marrëdhënie me të atin prej disa vitesh. Thomas Markle nuk ishte i pranishëm as në dasmën e saj me Princ Harry-n në vitin 2018, duke përmendur në atë kohë probleme shëndetësore.

Pas publikimit të lajmeve për akuzat ndaj tij muajin e kaluar, Meghan reagoi përmes një deklarate, ku u shpreh se ishte “thellësisht e tronditur” nga ajo që kishte mësuar dhe se shpresonte që drejtësia të vihej në vend.

Ndërkohë, vizita e çiftit në Bruksel lidhet me fushatën e tyre për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e internetit. Harry dhe Meghan do të prezantojnë instalacionin përkujtimor “Lost Screen Memorial”, i cili u shfaq për herë të parë në Nju Jork vitin e kaluar dhe tashmë është sjellë në Evropë.

Nisma, e mbështetur nga fondacioni i tyre Archewell, përmban fotografi të të rinjve që kanë humbur jetën dhe familjet e të cilëve besojnë se rrjetet sociale kanë luajtur një rol në tragjeditë e tyre.

Mes fotografive është edhe ajo e 13-vjeçarit Breck Bednar, nga Surrey, i cili humbi jetën në vitin 2014. Prindërit e tij besojnë se ai ishte manipuluar në internet përmes lojërave dhe aplikacioneve të rrjeteve sociale.

Një tjetër histori është ajo e Jools Sweeney nga Gloucestershire, i cili i dha fund jetës në vitin 2022. Prindërit e tij mendojnë se koha e gjatë e kaluar në rrjetet sociale pas izolimit gjatë pandemisë ndikoi në gjendjen e tij.

Harry dhe Meghan kanë folur edhe më herët për nevojën e mbrojtjes së fëmijëve në internet. Në një intervistë për BBC-në vitin e kaluar, Meghan theksoi se siguria e fëmijëve është një çështje për të cilën duhet të bien dakord të gjithë.

“Fëmijët tanë duhet të jenë të sigurt. Të gjithë fëmijët tanë duhet të jenë të sigurt”, ishte mesazhi i saj.

Ndërsa Princ Harry kritikoi kompanitë e rrjeteve sociale për mungesën e transparencës dhe mbështetjes ndaj prindërve që kanë humbur fëmijët.

Në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian, Harry pritet të flasë për përgjegjësinë e kompanive të teknologjisë dhe të tregojë nëse premtimet e tyre për rritjen e sigurisë në internet kanë sjellë ndryshime konkrete.

Ai nuk pritet të komentojë drejtpërdrejt akuzat ndaj babait të Meghan-it. Gjithashtu, do të marrë pjesë në një diskutim ku do të trajtohen rreziqet me të cilat përballen të rinjtë në internet dhe përgjegjësia e kompanive të teknologjisë për t’i mbrojtur ata.