Modelja dhe aktorja e njohur Toukie Smith, ish-partnerja e aktorit të famshëm Robert De Niro, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sklerozën multiple.
Lajmi i trishtë u konfirmua nga dy fëmijët e saj binjakë, Airyn dhe Julian De Niro, të cilët i kishte nga lidhja me aktorin e njohur. Smith, emri i vërtetë i së cilës ishte Doris A. Smith, ndërroi jetë më 4 nëntor në një spital në New York, transmeton Indeksonline.
Në një deklaratë për revistën The Hollywood Reporter, fëmijët e saj e kujtuan me fjalë emocionuese, duke vlerësuar forcën, guximin dhe trashëgiminë që ajo la pas në botën e modës dhe kulturës.
Ata theksuan se Toukie Smith, edhe gjatë betejës së gjatë me sëmundjen, mbeti një grua e jashtëzakonshme, ndërsa ndikimi i saj ndihmoi në hapjen e rrugës për shumë modele dhe stilistë me ngjyrë.
“Toukie ishte një forcë e natyrës. Ajo la gjurmë të pashlyeshme në zemrat tona dhe te të gjithë ata që patën fatin ta njihnin”, thuhet në mesazhin e familjes.
Toukie Smith dhe Robert De Niro ishin në një lidhje nga viti 1988 deri në vitin 1996. Edhe pse nuk u martuan kurrë, në vitin 1995 u bënë prindër të binjakëve Airyn dhe Julian. Fëmijët lindën përmes fekondimit artificial dhe erdhën në jetë me ndihmën e një nëne surrogate.
Një dedikim emocionues për nënën e saj ka ndarë edhe Airyn De Niro, e cila publikoi në Instagram një fotografi nga fëmijëria, të shoqëruar me fjalët: “Do të të dua gjithmonë, mami.”



