Vrasja e shqiptarit në Bruksel dhe e policit që ishte në aksion, 4 të dyshuarit ekstradohen në Belgjikë.

Katër persona të dyshuar për vrasjen e një shqiptari pranë Parlamentit Evropian dhe të policit belg Nordine El Talbi janë dorëzuar autoriteteve belge, pas arrestimit të tyre në Spanjë dhe Francë.

Sipas mediave belge, hetuesit dyshojnë se i njëjti grup kriminal qëndron pas të dyja vrasjeve, të kryera brenda pak orësh më 12 tetor 2026.

Ngjarja e parë ndodhi rreth orës 17:50 në rrugën Wiertz, në lagjen Elsene të Brukselit. Një shqiptar u qëllua disa herë me armë zjarri në hollin e një ndërtese, duke marrë shtatë deri në tetë plumba në gjoks. Ai ndërroi jetë në vendngjarje. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik.

Hetuesit dyshojnë se vrasja lidhet me përplasjet mes grupeve të trafikut të drogës dhe mund të ketë qenë një ekzekutim i porositur.

Vetëm disa orë më vonë, në lagjen Jette, u vra edhe polici belg 41-vjeçar, Nordine El Talbi. Ai ishte pjesë e një operacioni policor për lokalizimin e një automjeti Volkswagen T-Cross, të vjedhur gjatë një grabitjeje me dhunë në Tubize.

Gjatë ndërhyrjes, personat që ndodheshin në automjet hapën zjarr ndaj policisë. Një plumb e goditi El Talbin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Tre nga të dyshuarit u arrestuan në qytetin Almería të Spanjës, ndërsa i katërti u kap në një stacion hekurudhor në Paris. Sipas raportimeve, tre të arrestuarit në Spanjë dyshohet se po përpiqeshin të largoheshin drejt Marokut. Mes katër personave të ekstraduar ndodhet edhe një i mitur.

Ndërkohë, në Bruksel janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për dyshime lidhur me këto ngjarje. Njëri është liruar për mungesë provash, ndërsa tjetri vazhdon të qëndrojë në paraburgim.

Autoritetet belge po vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivet e dy vrasjeve, lidhjet e mundshme me rrjetet e trafikut të drogës dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.

Massie “sfidon” administratën Trump para largimit, siguron firmat për të rihapur çështjen e Epstein në Dhomën e Përfaqësuesve