Policia e Elbasanit ka ndaluar një 17-vjeçar, i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e një gruaje, i cili shpërtheu një javë më parë në qytetin e Elbasanit.
Ndalimi i të miturit u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Porosia”, i cili po zhvillohet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Sipas njoftimit të Policisë, shpërthimi ndodhi më 5 nëntor 2026, në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan, ku automjeti në pronësi të shtetases me inicialet A. D. u hodh në erë me lëndë plasëse.
17-vjeçari me inicialet B. H. dyshohet se ka qenë bashkëautor në vendosjen dhe shpërthimin e eksplozivit në automjet.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në këtë akt dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Operacioni policor vijon, ndërsa autoritetet po punojnë për të vënë para përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë.



