Fiksimi me shqiptarët: Sa kushton shqiponja gjigante me diamante që Drake e mbajti në klipin e ri?

Reperi kanadez me famë botërore, Drake, ka tërhequr sërish vëmendjen e shqiptarëve, këtë herë me një bizhuteri luksoze që mban simbolin e shqiponjës dykrenare.

Në videoklipin e ri të këngës “Ya Hit”, në bashkëpunim me Future, Travis Scott dhe Loe Shimmy, artisti shfaqet duke mbajtur një zinxhir masiv, me një shqiponjë dykrenare të mbuluar me diamante.

Bizhuteria është realizuar nga argjendari i njohur i yjeve, Alex Moss, i cili ka krijuar aksesorë ekskluzivë për disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë muzikore. Edhe revista amerikane XXL ka publikuar pamje të kësaj krijese të veçantë.

Por sa mund të kushtojë shqiponja që Drake ka vendosur rreth qafës?

Çmimi zyrtar i saj ende nuk është bërë publik. Megjithatë, bëhet fjalë për një krijim të personalizuar, ndërsa Alex Moss njihet për realizimin e bizhuterive që arrijnë vlera gjashtëshifrore, pra mbi 100 mijë dollarë.

Për krahasim, në koleksionin zyrtar të argjendarit, disa varëse të mëdha me diamante kushtojnë mbi 30 mijë dollarë, ndërsa krijimet ekskluzive për yjet mund të jenë dukshëm më të shtrenjta. Kjo nuk mjafton, megjithatë, për të përcaktuar vlerën reale të shqiponjës së Drake. l

Kjo nuk është hera e parë që artisti shfaqet me simbole shqiptare. Në vitin 2023, në videoklipin e këngës “Polar Opposites”, ai kishte veshur një xhaketë të kuqe me shqiponjën dykrenare, ndërsa më herët është fotografuar edhe me një kapelë me simbolin shqiptar.

Edhe pse Drake nuk ka shpjeguar publikisht arsyen e kësaj lidhjeje me simbolet shqiptare, paraqitjet e tij vazhdojnë të ngjallin interes dhe reagime te fansat shqiptarë.