Në çdo aspekt, humbës do të jenë ata që nuk pranojnë realitetin dhe nuk kuptojnë se asnjë pushtet nuk mund të jetë i përjetshëm.
Lëvizjet popullore janë si dallgët e detit: mund të qetësohen për një kohë, mund të tërhiqen përkohësisht, por asnjëherë nuk ndalen përgjithmonë.
Regjimet janë kalimtare. Disa qëndrojnë më pak në pushtet, të tjerat më gjatë, por të gjitha një ditë përballen me fundin e tyre.
Problemi lind kur pushteti nuk shihet më si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si pronë private e klaneve politike, klikave të interesit dhe profiterëve që përmes tij mbrojnë privilegjet, pasuritë dhe pozitat e tyre. Këta janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të mos e lëshuar pushtetin, madje edhe ta vendosin interesin e tyre mbi interesin e popullit dhe të atdheut.
Populli, ndërkohë, shpesh hesht, duron dhe i grumbullon brenda vetes pakënaqësitë. Por heshtja nuk do të thotë pajtim, as durimi nuk do të thotë dorëzim. Vjen një moment kur mllefi shndërrohet në stuhi, e stuhia ngre dallgë që mund të përmbysin gjithçka që u del përpara.
Prandaj, ata që marrin përgjegjësi duhet të mos harrojnë kurrë se pushteti nuk u përket atyre. Shtetari i vërtetë e kupton kur ka ardhur koha të largohet, pranon realitetin dhe ua lë vendin brezave të rinj, me dinjitet, urtësi dhe përgjegjësi, pa trazira, pa shkatërrime dhe pa hakmarrje.
Ata që ju besuan, ju mbështetën dhe ju dhanë mundësinë të udhëhiqni, meritojnë respekt dhe mirënjohje. Falënderojini dhe ndahuni me ta me dinjitet!
Dhe mos harroni: klanet politike mund të kontrollojnë përkohësisht pushtetin, por asnjëherë nuk mund ta zotërojnë vullnetin e një populli që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme!



