Gjobat deri në 10 milionë lekë për sulmet dhe shkeljet kibernetike, Shqipëria përfshin SHISH-in dhe Ushtrinë në strukturën e re

Qeveria shqiptare ka miratuar ndryshimet në projektligjin për sigurinë kibernetike, duke parashikuar masa më të ashpra ndaj operatorëve që nuk përmbushin detyrimet për mbrojtjen e sistemeve informatike. Gjobat për shkeljet administrative mund të arrijnë deri në 10 milionë lekë.

Projektligji është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 12 nëntor dhe synon forcimin e mbrojtjes së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në një kohë kur kërcënimet dhe sulmet kibernetike përbëjnë një sfidë gjithnjë e më të madhe për institucionet dhe shërbimet publike.

Sipas ndryshimeve të propozuara, operatorët do të detyrohen të deklarojnë pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) masat teknike, organizative dhe operacionale që kanë ndërmarrë për mbrojtjen e sistemeve të tyre.

Ata duhet të raportojnë gjithashtu se kush administron infrastrukturën teknologjike, ku ndodhen sistemet, çfarë lloj hostimi përdoret dhe cilat masa sigurie janë në fuqi.

Për mosrespektimin e këtyre detyrimeve parashikohen gjoba nga 200 mijë deri në 10 milionë lekë, në varësi të natyrës së shkeljes. Mosdorëzimi në afat i vetëdeklarimit mund të dënohet me 500 mijë deri në 2 milionë lekë, ndërsa paraqitja e të dhënave të pasakta ose të paplota me gjoba nga 200 mijë deri në 1 milion lekë.

Masa ndëshkuese parashikohen edhe për operatorët që nuk zbatojnë udhëzimet e AKSK-së për bllokimin e sulmeve, neutralizimin e kërcënimeve dhe korrigjimin e dobësive të sistemeve informatike.

SHISH dhe Ushtria pjesë e strukturës së re të inteligjencës kibernetike

Një nga elementet më të rëndësishme të projektligjit është krijimi i një grupi bashkëpunimi për inteligjencën kibernetike, ku do të përfshihen disa prej institucioneve kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes në Shqipëri.

Në këtë strukturë do të marrin pjesë përfaqësues të AKSK-së, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Grupi do të drejtohet nga AKSK dhe do të ketë për detyrë shkëmbimin e informacioneve për kërcënimet e mundshme kibernetike, vlerësimin e ndikimit të tyre në sigurinë kombëtare, ekonomi dhe shërbimet publike, si dhe hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e politikave të sigurisë.

Ndryshimet e reja parashikojnë gjithashtu detyrimin për raportimin e çdo incidenti kibernetik pranë ekipeve kombëtare dhe sektoriale të reagimit, si dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për parandalimin dhe rikuperimin nga sulmet.

Projektligji zgjeron edhe përgjegjësitë e AKSK-së në mbrojtjen e qytetarëve dhe grupeve vulnerabël, ndërsa përfshin edhe administratën e pushtetit vendor në kategorinë e sektorëve me rëndësi të lartë për sigurinë kibernetike.

Lista e operatorëve të infrastrukturave kritike do të mbetet konfidenciale, do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të përditësohet të paktën një herë në dy vjet.

Me këto ndryshime, Shqipëria synon të forcojë koordinimin ndërinstitucional dhe të rrisë përgjegjësinë e operatorëve përballë kërcënimeve në hapësirën digjitale.

Arrestohet vëllai i Pirro Dhimës, akuzohet se u jepte doping peshëngritësve të ekipit të tij