I dënuar tri herë me vdekje, boksieri iranian nderohet në Londër: Nuk do të dorëzohem kurrë

Boksieri iranian Mohammad Javad Vafaei Sani, i dënuar tri herë me vdekje dhe aktualisht i burgosur në Iran, është nderuar me çmimin prestigjioz Magnitsky për aktivizmin në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Në një mesazh nga burgu, 31-vjeçari deklaroi se nuk do të dorëzohet përballë represionit, duke ia kushtuar vlerësimin të gjithë atyre që po paguajnë me jetën e tyre për lirinë.

Vafaei Sani, kampion boksi dhe trajner, u shpall fitues i çmimit gjatë një ceremonie të zhvilluar të enjten në Londër. Ai është një prej shtatë sportistëve iranianë që, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, rrezikojnë ekzekutimin.

Në mesazhin e dërguar nga burgu Vakilabad, në verilindje të Iranit, ai tha se e pranonte çmimin në emër të të gjithë personave që janë burgosur, torturuar, kërcënuar apo dënuar me vdekje për shkak të aspiratës për një Iran të lirë.

“Regjimi kërkon prej nesh pendim, rrëfime të detyruara para kamerave dhe dorëzim. Por përgjigjja jonë është e qartë: Nuk do të dorëzohemi kurrë dhe nuk do të pranojmë poshtërimin”, thuhej në mesazhin e tij.

Vafaei Sani u arrestua në vitin 2020, pasi mori pjesë në protestat mbarëkombëtare të vitit 2019, të cilat kërkonin ndryshime demokratike në vend. Autoritetet iraniane e akuzuan për mbështetje të organizatës opozitare Muxhahedinët e Popullit të Iranit (MEK).

Ai u shpall fajtor për akuzën “korrupsion në tokë” dhe u dënua me vdekje për herë të tretë në shtator 2024. Amnesty International e ka cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij si thellësisht të padrejtë. Më 4 tetor 2025, Gjykata Supreme konfirmoi dënimin me vdekje. Gjatë qëndrimit në burg, ai raportohet se është torturuar dhe mbajtur për periudha të gjata në izolim.

Çështja e tij ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, me sportistë, organizata për të drejtat e njeriut dhe ekspertë ligjorë që kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe anulimin e dënimit me vdekje.

Çmimi Magnitsky mban emrin e avokatit rus Sergei Magnitsky, i cili humbi jetën në paraburgimin e policisë ruse pasi kishte denoncuar korrupsionin qeveritar. Çmimet u krijuan në vitin 2015 për të vlerësuar gazetarë, politikanë dhe aktivistë që angazhohen në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

William Browder, drejtues i Fondacionit Magnitsky Justice dhe kryetar i komitetit të çmimeve, tha se rasti i boksierit përfaqëson situatën e shumë iranianëve që përballen me ekzekutimin për kundërshtimin e regjimit.

“Gjëja më e rëndësishme është se Mohammad Javad është ende gjallë. Prandaj ky çmim ka rëndësi. Sa herë që bota i kushton vëmendje çështjes së tij, bëhet më e vështirë që ai të vritet në heshtje”, deklaroi Browder.

Sipas organizatës Hengaw për të Drejtat e Njeriut, të paktën 710 persona janë ekzekutuar në Iran që nga fillimi i vitit 2026, mes tyre 79 të burgosur politikë dhe fetarë.

Ndërkohë, organizata ka dokumentuar të paktën 106 dënime me vdekje ndaj personave të arrestuar gjatë protestave të janarit, 35 prej të cilëve janë ekzekutuar tashmë. Në burgun Vakilabad, ku mbahet edhe Vafaei Sani, pesë persona janë ekzekutuar në lidhje me protestat, ndërsa 15 të tjerë përballen me dënimin kapital.

Në mesazhin e tij, boksieri iranian tha se ëndërron një vend të lirë dhe demokratik, ku qytetarët të votojnë pa pengesa, gratë dhe burrat të jenë të barabartë dhe askush të mos burgoset apo ekzekutohet për bindjet e tij politike.

“Do të qëndroj i palëkundur në betimin tim dhe nuk do t’i nënshtrohem shtypjes derisa populli i Iranit të jetë i lirë”, përfundoi ai.