Isuf B.Bajrami
Vështrim juridik dhe kushtetues mbi mospërputhjen e versioneve gjuhësore, interpretimin gjyqësor, parimin e legalitetit dhe pasojat për të drejtat e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
HYRJE
Kushtetuta është akti më i lartë juridik i një shteti. Autoriteti i saj nuk buron vetëm nga pozita që zë në hierarkinë normative, por mbi të gjitha nga detyrimi që çdo institucion publik, përfshirë gjykatat, ta zbatojë dhe interpretojë në përputhje me përmbajtjen dhe frymën e saj.
Për këtë arsye, saktësia e tekstit kushtetues nuk është çështje teknike apo thjesht gjuhësore. Ajo është kusht themelor i sigurisë juridike, barazisë para ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore.
Një çështje veçanërisht serioze në këtë drejtim paraqet mospërputhja ndërmjet versionit shqip dhe atij serbisht të nenit 33, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo mospërputhje mori rëndësi të drejtpërdrejtë në procedurat pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ku interpretimi i kësaj dispozite u bë pjesë e shqyrtimit të pretendimeve kushtetuese të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.¹
Rëndësia e kësaj çështjeje qëndron në faktin se nuk kemi të bëjmë me një dallim të zakonshëm terminologjik. Në njërin version përdoret koncepti juridik i akuzimit, ndërsa në tjetrin ai i shpalljes fajtor. Këto janë dy koncepte të ndryshme në të drejtën penale dhe kanë pasoja të ndryshme në përcaktimin e shtrirjes së garancisë kushtetuese.
Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm kur një mospërputhje e tillë nuk mbetet vetëm në tekstin e publikuar, por bëhet objekt i interpretimit gjyqësor dhe ndikon në mënyrën se si trajtohen pretendimet për mbrojtjen e të drejtave themelore.
Për këtë arsye, çështja duhet të shqyrtohet në tri nivele: së pari, në aspektin e saktësisë së tekstit kushtetues; së dyti, në aspektin e interpretimit të tij nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese; dhe së treti, në aspektin e pasojave juridike që ky interpretim prodhon për të drejtat e të akuzuarve.
1. KRAHASIMI I TRI FORMULIMEVE DHE NDRYSHIMI I KUPTIMIT JURIDIK
Neni 33, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në versionin shqip, përcakton:
«Askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër e cila, në momentin e kryerjes, nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale […]».
Versioni anglisht, i përdorur në dokumentacionin gjyqësor, përmban formulimin:
«No one shall be charged or punished […]».
Ndërsa versioni serbisht përdor formulimin:
«Niko se ne može proglasiti krivim ili kazniti […]».
Në kuptimin shqip, formulimi serbisht nënkupton se askush nuk mund të shpallet fajtor ose të dënohet.²
Krahasimi i tri formulimeve nxjerr në pah një mospërputhje të qartë:
Shqip: «akuzohet ose dënohet».
Anglisht: «charged or punished».
Serbisht: «shpallet fajtor ose dënohet».
Dallimi është thelbësor.
Në të drejtën penale, akuzimi dhe shpallja fajtor nuk janë koncepte të barasvlershme. Akuzimi i përket fazës së ndjekjes penale dhe paraqitjes së pretendimeve kundër një individi, ndërsa shpallja fajtor është rezultat i një vlerësimi gjyqësor mbi përgjegjësinë penale.
Prandaj, zëvendësimi i termit «akuzohet» me termin «shpallet fajtor» nuk mund të konsiderohet thjesht ndryshim stilistik. Ai ndryshon përmbajtjen tekstuale të garancisë dhe ngre çështjen e momentit procedural në të cilin individi mund të kërkojë mbrojtjen e kësaj dispozite.
Këtu duhet bërë edhe një sqarim juridik: versionet shqip dhe serbisht janë versionet në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërsa anglishtja shërben si tekst krahasues. Neni 5 i Kushtetutës përcakton statusin e gjuhëve zyrtare.³
Për rrjedhojë, nuk mund të pranohet që një garanci kushtetuese të ketë përmbajtje të ndryshme në varësi të versionit gjuhësor. Barazia e gjuhëve zyrtare kërkon barazi të përmbajtjes juridike, jo vetëm barazi formale të statusit të tyre.
2. VENDIMI I DHOMËS SË SPECIALIZUAR DHE PRANIMI I MOSPËRPUTHJES
Çështja e dallimit ndërmjet versioneve gjuhësore nuk është ngritur vetëm nga mbrojtja apo nga interpretimi i jashtëm juridik. Ajo është pranuar shprehimisht edhe nga vetë Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin e 13 qershorit 2022, në çështjet KSC-CC-2022-13 dhe KSC-CC-2022-14, të lidhura me kërkesat kushtetuese të Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, me të cilat u bashkua edhe Hashim Thaçi, Gjykata trajtoi pretendimet lidhur me ligjshmërinë e akuzave dhe interpretimin e nenit 33.¹
Në pjesën përkatëse të arsyetimit, Gjykata krahasoi formulimet gjuhësore dhe konstatoi dallimin ndërmjet termit të përdorur në versionin shqip dhe atij në versionin serbisht.
Në vijim, Gjykata u mbështet në faktin se të dy versionet kanë autoritet të barabartë juridik dhe se mospërputhja duhej të zgjidhej përmes metodave të tjera të interpretimit kushtetues.
Këtu fillon çështja më e rëndësishme juridike.
Në vend që të shqyrtonte në mënyrë të veçantë efektin juridik të termit «akuzohet», të përfshirë shprehimisht në tekstin shqip, Gjykata e lidhi dispozitën me standardet e nenit 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 15 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Nëpërmjet këtij interpretimi, Gjykata arriti në përfundimin se neni 33 mbron individin nga shpallja fajtor për një vepër që nuk ka qenë e përcaktuar si vepër penale në kohën e kryerjes, por nuk krijon një garanci të veçantë kundër vetë akuzimit në kuptimin e pretenduar nga parashtruesit.¹
Ky përfundim është pikërisht pjesa që kërkon kritikë juridike.
Nëse Kushtetuta përmban një formulim më të gjerë se instrumentet ndërkombëtare me të cilat harmonizohet, gjykata duhet të shqyrtojë nëse ky formulim synon të ofrojë mbrojtje shtesë.
Harmonizimi me standardet ndërkombëtare nuk duhet të shndërrohet në mënyrë për të mos i dhënë efekt një shprehjeje të qartë kushtetuese.
3. PASOJAT PROCEDURALE PËR TË AKUZUARIT NË HAGË
Rëndësia e këtij interpretimi nuk është vetëm teorike.
Në kërkesat e tyre kushtetuese, ish-drejtuesit e UÇK-së ngritën çështje që lidhen me ligjshmërinë e akuzave, bazën juridike të përgjegjësisë penale dhe parimin e ligjshmërisë.
Pretendimi thelbësor ishte se mbrojtja kushtetuese nuk duhej të kufizohej vetëm në momentin e shpalljes së fajësisë, por duhej të mund të shqyrtohej edhe në fazën kur individi akuzohet për një vepër që pretendohet se nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale në kohën e kryerjes.
Ky pretendim mbështetej në formulimin e drejtpërdrejtë të versionit shqip të nenit 33.
Megjithatë, Dhoma e Specializuar i konsideroi kërkesat të parakohshme dhe të papranueshme, duke u mbështetur në nenin 113, paragrafi 7, të Kushtetutës, nenin 49, paragrafi 3, të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe rregullin 14(f) të Rregullores së Procedurës së Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.¹
Është e rëndësishme të theksohet se Gjykata nuk shpalli përfundimisht të ligjshme të gjitha akuzat dhe as nuk vendosi përfundimisht mbi përgjegjësinë penale të të akuzuarve.
Por pasoja procedurale ishte konkrete: pretendimet kushtetuese nuk u shqyrtuan në themel në atë fazë të procesit.
Kjo tregon se interpretimi i një fjale në tekstin kushtetues mund të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë e individit për të kërkuar mbrojtje gjyqësore.
Në këtë kuptim, dallimi ndërmjet akuzimit dhe shpalljes fajtor nuk është çështje e parëndësishme gjuhësore. Ai prek kohën dhe mënyrën e ushtrimit të një të drejte kushtetuese.
4. PARIMI I LEGALITETIT DHE SIGURIA JURIDIKE
Parimi nullum crimen, nulla poena sine lege përbën një nga shtyllat themelore të së drejtës penale moderne.
Ai nënkupton se askush nuk mund të dënohet për një veprim që nuk përbënte vepër penale sipas ligjit të zbatueshëm në kohën e kryerjes.
Ky parim kërkon që norma penale të jetë e qasshme, e qartë dhe e parashikueshme. Gjithashtu, ndalon krijimin ose zgjerimin retroaktiv të përgjegjësisë penale në dëm të individit.⁴
Në këtë drejtim, neni 33 i Kushtetutës duhet të lexohet së bashku me nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 15 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Megjithatë, ekziston një dallim që nuk duhet anashkaluar: këto instrumente ndërkombëtare përcaktojnë standardin minimal të mbrojtjes, ndërsa Kushtetuta e Kosovës mund të ofrojë garanci më të gjera për individin.
Prandaj, interpretimi kushtetues duhet të shqyrtojë jo vetëm përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, por edhe efektin juridik të formulimit konkret të Kushtetutës.
Në rastin e proceseve në Hagë, kjo çështje ka rëndësi të veçantë për shkak të periudhës kohore të veprave të pretenduara, përkatësisht viteve 1998–1999.
Përgjegjësia penale për veprat e pretenduara duhet të vlerësohet në bazë të së drejtës që ishte e zbatueshme në kohën përkatëse, duke respektuar parimin e ligjshmërisë, parashikueshmërisë dhe përgjegjësisë individuale.
Përjashtimi që neni 33 parasheh për gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk e eliminon detyrimin për të provuar bazën juridike të përgjegjësisë penale dhe elementet përbërëse të veprës.
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjet Korbely kundër Hungarisë, Kononov kundër Letonisë dhe Vasiliauskas kundër Lituanisë ka trajtuar në mënyrë të hollësishme kufijtë e interpretimit penal dhe kërkesat e ligjshmërisë në rastet që lidhen me krimet ndërkombëtare.⁵ ⁶ ⁷
Këto vendime janë veçanërisht të rëndësishme për të kuptuar se as rëndësia e një akuze dhe as natyra e rëndë e një vepre nuk e përjashtojnë detyrimin e gjykatës për të respektuar parimin e legalitetit.
5. PËRGJEGJËSIA INSTITUCIONALE PËR MOSPËRPUTHJEN E TEKSTIT
Mospërputhja ndërmjet versioneve shqip dhe serbisht është e dokumentuar dhe është evidentuar edhe nga vetë Dhoma e Specializuar.
Për këtë arsye, çështja nuk mund të reduktohet në një debat të zakonshëm për përkthimin.
Kur një dispozitë kushtetuese përmban koncepte juridike të ndryshme në dy versionet zyrtare, institucionet përgjegjëse kanë detyrim të sigurojnë saktësinë, harmonizimin dhe besueshmërinë e tekstit.
Përgjegjësia institucionale duhet të trajtohet në mënyrë konkrete.
Duhet të shqyrtohen dokumentet origjinale të hartimit të Kushtetutës, procesi i përkthimit, kontrolli profesional, redaktimi juridik dhe procedura e miratimit të versioneve përfundimtare.
Këto dokumente janë të domosdoshme për të përcaktuar se si ka ardhur deri te zëvendësimi i konceptit të akuzimit me atë të shpalljes fajtor dhe në cilën fazë është krijuar mospërputhja.
Një çështje e tillë merr dimension edhe më serioz kur kemi parasysh se bëhet fjalë për një dispozitë që garanton të drejta themelore në procedurën penale.
Nëse dokumentacioni origjinal dëshmon ndërhyrje të vetëdijshme në formulimin e dispozitës, duke pasur parasysh pasojat juridike të saj, atëherë përgjegjësia për një veprim të tillë duhet të shqyrtohet nga institucionet kompetente.
Por edhe pa pasur nevojë për të nxjerrë përfundime mbi motivin, ekzistenca e mospërputhjes imponon detyrimin për sqarim dhe korrigjim institucional.
Një Kushtetutë nuk mund të mbështetet në dy formulime që ndryshojnë në përmbajtjen e një garancie themelore dhe të konsiderohet se siguria juridike është plotësisht e garantuar.
6. RAPORTI I AVOKATIT TË POPULLIT DHE PROBLEMI I PËRKTHIMEVE JURIDIKE
Një element tjetër me rëndësi për këtë analizë është raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, i publikuar më 15 dhjetor 2023, lidhur me cilësinë e përkthimeve të akteve juridike dhe mospërputhjet ndërmjet versioneve gjuhësore.⁸
Në këtë raport, Avokati i Popullit evidenton se në një numër aktesh ligjore dhe nënligjore janë hasur versione joidentike në gjuhët zyrtare, përfshirë edhe vetë Kushtetutën.
Raporti identifikon gabime përmbajtjesore, terminologjike, gramatikore, drejtshkrimore dhe teknike. Gjithashtu, përmend raste kur përkthimi në gjuhën serbe nuk pasqyron plotësisht tekstin në gjuhën shqipe, kur mungojnë pjesë të tekstit ose kur shtohen formulime që nuk gjenden në versionin tjetër.
Avokati i Popullit paralajmëron se mospërputhje të tilla mund të krijojnë interpretime subjektive, pasiguri juridike dhe trajtim të pabarabartë të qytetarëve.
Institucioni u ka drejtuar rekomandime Kuvendit dhe Qeverisë për harmonizimin e legjislacionit dhe korrigjimin e gabimeve gjuhësore e teknike.⁸
Ky raport ka rëndësi të veçantë për çështjen e nenit 33, sepse dëshmon se problemi i cilësisë së përkthimeve juridike nuk është çështje e izoluar, por problem institucional që është identifikuar zyrtarisht.
Raporti nuk provon vetvetiu qëllimshmërinë e mospërputhjes konkrete të nenit 33. Megjithatë, ai përforcon domosdoshmërinë e një shqyrtimi institucional të dokumentacionit dhe të mekanizmave të kontrollit të përkthimeve.
Në rastin konkret, mospërputhja është identifikuar nga vetë Gjykata. Për këtë arsye, institucionet përgjegjëse nuk mund ta trajtojnë më çështjen si një dallim të parëndësishëm gjuhësor.
7. NDIKIMI POLITIK DHE BESUESHMËRIA E DREJTËSISË NDËRKOMBËTARE
Proceset ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së kanë një rëndësi të veçantë historike, politike dhe juridike për Republikën e Kosovës.
Për këtë arsye, çdo çështje që prek garancitë kushtetuese dhe të drejtat e të akuzuarve duhet të shqyrtohet me transparencë dhe me standarde të larta të arsyetimit juridik.
Pavarësia gjyqësore është një parim themelor, por ajo nuk e përjashton kritikën juridike dhe as detyrimin për të dhënë arsyetime të plota për interpretimin e dispozitave kushtetuese.
Në rastin e nenit 33, problemi është konkret: një dallim i evidentuar ndërmjet dy versioneve zyrtare u bë pjesë e arsyetimit gjyqësor dhe ndikoi në trajtimin e kërkesave kushtetuese të mbrojtjes.
Kjo situatë krijon nevojën për një shqyrtim edhe më të kujdesshëm të mënyrës se si interpretimi kushtetues ndikon në të drejtat e personave që gjykohen.
Dimensioni politik i procesit nuk duhet të përdoret as për të paragjykuar vendimet e gjykatës dhe as për të heshtur kritikat juridike.
Drejtësia ndërkombëtare duhet të dëshmojë se standardet e saj zbatohen njësoj për të gjithë dhe se asnjë person nuk privohet nga garancitë kushtetuese për shkak të kontekstit politik ose historik të çështjes.
Besueshmëria e një gjykate nuk buron vetëm nga mandati i saj institucional, por edhe nga cilësia e vendimeve, respektimi i të drejtave të mbrojtjes dhe aftësia për t’iu përgjigjur argumenteve juridike.
8. PËRGJEGJËSIA INDIVIDUALE DHE KONTEKSTI HISTORIK I UÇK-së
Në proceset ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, parimi i përgjegjësisë individuale duhet të mbetet themeli i çdo vlerësimi penal.
Asnjë individ nuk mund të shpallet fajtor vetëm për shkak të pozitës së tij, rolit institucional apo përkatësisë në një organizatë.
Përgjegjësia penale duhet të provohet në mënyrë individuale, mbi bazën e provave dhe të normave juridike të zbatueshme.
Po kështu, përgjegjësia e mundshme penale e individëve nuk mund të shndërrohet në përgjegjësi kolektive të UÇK-së apo të popullit shqiptar.
Lufta e Kosovës duhet të trajtohet në kontekstin e saj historik dhe juridik, ndërsa pretendimet penale duhet të shqyrtohen në përputhje me standardet e drejtësisë penale.
Respektimi i këtyre parimeve nuk është privilegj për ish-drejtuesit e UÇK-së. Është detyrim i çdo gjykate që ushtron juridiksion penal.
Pikërisht për këtë arsye, garancitë e nenit 33 duhet të interpretohen në mënyrë të tillë që individi të ketë mundësi reale të kundërshtojë bazën juridike të përgjegjësisë që i atribuohet.
9. DOMOSDOSHMËRIA E SQARIMIT DHE HARMONIZIMIT TË TEKSTIT KUSHTETUES
Nga analiza e mësipërme dalin disa çështje që kërkojnë trajtim institucional.
Së pari, duhet të bëhet një verifikim profesional dhe juridik i tri formulimeve të nenit 33, duke u mbështetur në dokumentet origjinale të miratimit të Kushtetutës.
Së dyti, duhet të përcaktohet origjina e mospërputhjes ndërmjet versioneve shqip dhe serbisht, përfshirë procesin e përkthimit dhe kontrollit të tekstit.
Së treti, duhet të vlerësohet nëse interpretimi gjyqësor i dhënë nga Dhoma e Specializuar i ka dhënë efektin e duhur juridik formulimit të versionit shqip.
Së katërti, institucionet kompetente duhet të sigurojnë mekanizma efektivë për harmonizimin e versioneve gjuhësore të akteve juridike, në mënyrë që një problem i tillë të mos përsëritet.
Këto kërkesa nuk përbëjnë ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit. Përkundrazi, janë kërkesa legjitime të një shteti të së drejtës, ku Kushtetuta duhet të jetë e qartë dhe e njëjtë për të gjithë qytetarët.
PËRFUNDIM
Mospërputhja ndërmjet versioneve gjuhësore të nenit 33 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës paraqet një problem konkret kushtetues, të evidentuar edhe nga vetë Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese.
Versioni shqip përdor termin «akuzohet», ndërsa versioni serbisht përdor konceptin «shpallet fajtor». Ky dallim prek përmbajtjen e garancisë kushtetuese dhe ngre çështjen e momentit procedural në të cilin individi mund të kërkojë mbrojtjen e saj.
Dhoma e Specializuar e pranoi mospërputhjen, por përmes interpretimit sistematik dhe harmonizimit me instrumentet ndërkombëtare arriti në një përfundim që nuk i njohu mbrojtjes së pretenduar nga parashtruesit efektin e veçantë të formulimit «akuzohet».
Ky interpretim pati pasoja konkrete procedurale, pasi kërkesat kushtetuese u konsideruan të parakohshme dhe nuk u shqyrtuan në themel në atë fazë.
Prandaj, çështja nuk mund të mbyllet me konstatimin se kemi të bëjmë vetëm me një dallim gjuhësor. Ajo kërkon shqyrtim të plotë të saktësisë së tekstit kushtetues, të mënyrës së interpretimit gjyqësor dhe të përgjegjësisë institucionale për harmonizimin e versioneve zyrtare.
Njëkohësisht, dokumentacioni i hartimit dhe përkthimit duhet të shqyrtohet për të përcaktuar origjinën e ndryshimit. Nëse provohet se formulimi është ndryshuar me vetëdije për të prodhuar pasoja të caktuara juridike, atëherë përgjegjësia për një veprim të tillë duhet të përcaktohet sipas ligjit.
Në një shtet të së drejtës, nuk mund të ketë dy kuptime të ndryshme të së njëjtës garanci kushtetuese, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat themelore të individit në procedurën penale.
Kushtetuta duhet të mbetet mbi çdo interes politik, institucional apo procedural. Ajo nuk mund të interpretohet sipas nevojave të një procesi gjyqësor, por çdo proces gjyqësor duhet t’u nënshtrohet garancive të saj.
Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi paqartësi normative, e as siguria juridike mbi përkthime që ndryshojnë përmbajtjen e një të drejte kushtetuese.
Barazia para ligjit nuk është çështje përkthimi. Është themeli i drejtësisë.
Fusnotat ,
1. Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, Dhomat e Specializuara të Kosovës, Decision on the Referral of Jakup Krasniqi Concerning the Legality of Charging Joint Criminal Enterprise and the Referral of Kadri Veseli Concerning Decision of the Appeals Panel on Challenges to the Jurisdiction of the Specialist Chambers, çështjet KSC-CC-2022-13 dhe KSC-CC-2022-14, dokumenti F00009, 13 qershor 2022, paragrafët 41–55. Burimi kryesor për mospërputhjen e versioneve gjuhësore dhe interpretimin e nenit 33 të Kushtetutës.
2. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill 2008, nenet 5 dhe 33. Neni 5 përcakton statusin e gjuhëve zyrtare, ndërsa neni 33 garanton parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit në procedurën penale.
3. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, neni 7; Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, neni 15. Dispozitat përcaktojnë parimin e ligjshmërisë penale dhe ndalimin e dënimit pa ligj.
4. Parimi juridik Nullum crimen, nulla poena sine lege, i mishëruar në nenin 33 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 15 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
5. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Korbely kundër Hungarisë [Dhoma e Madhe], kërkesa nr. 9174/02, aktgjykimi i 19 shtatorit 2008. Jurisprudencë lidhur me parimin e ligjshmërisë dhe parashikueshmërinë e përgjegjësisë penale për krime ndërkombëtare.
6. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kononov kundër Letonisë [Dhoma e Madhe], kërkesa nr. 36376/04, aktgjykimi i 17 majit 2010. Jurisprudencë lidhur me zbatimin e nenit 7 të Konventës në rastet e krimeve të luftës.
7. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Vasiliauskas kundër Lituanisë [Dhoma e Madhe], kërkesa nr. 35343/05, aktgjykimi i 20 tetorit 2015. Jurisprudencë lidhur me parimin e ligjshmërisë, parashikueshmërinë e normës penale dhe kufijtë e interpretimit të përgjegjësisë penale.
8. Institucioni i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, Raporti ex officio nr. 227/2019, lidhur me cilësinë e përkthimeve të akteve juridike dhe mospërputhjet gjuhësore ndërmjet versioneve zyrtare, publikuar më 15 dhjetor 2023. Raporti evidenton probleme përmbajtjesore, terminologjike dhe teknike në përkthimet e akteve juridike, përfshirë Kushtetutën.
9. Ligji nr. 02/L-37 për Përdorimin e Gjuhëve, Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, 1 mars 2007, veçanërisht neni 5, paragrafi 4, lidhur me publikimin e akteve juridike në gjuhët zyrtare.
19. Enver Hasani dhe Ivan Čukalović, Komentar: Kushtetuta e Republikës së Kosovës, GIZ, Prishtinë, 2013. Literaturë juridike për interpretimin e dispozitave kushtetuese dhe raportin ndërmjet Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare.
Prishtinë,13.11.2026



