Probleme me shërbimet e Apple në SHBA, mijëra përdorues raportojnë ndërprerje të App Store, iCloud dhe Apple Pay

Mijëra përdorues në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar probleme me aksesin në shërbimet e Apple këtë të martë, më 17 nëntor.

Ndërprerjet kanë prekur disa prej platformave kryesore të kompanisë, mes tyre App Store, iCloud, Apple Pay dhe shërbimin e mbështetjes teknike.

Vetë Apple ka konfirmuar probleme në faqen e saj zyrtare të statusit të sistemit, ku janë evidentuar ndërprerje në App Store, Apple Music dhe AppleCare on Device, si dhe vështirësi me llogaritë dhe hyrjen në iCloud, shkruan “USA Today“.

Sipas platformës Downdetector, raportimet për probleme me Apple Pay nisën të rriteshin ndjeshëm rreth orës 11:40 paradite, sipas orës lokale në SHBA. Ndërsa raportimet për iCloud u shtuan pak para mesditës.

Problemet me shërbimet e Apple vijnë vetëm një ditë pas një ndërprerjeje të madhe që preku sistemet bankare në SHBA. Defekti nisi në Chase Bank, por ndikoi edhe në shërbimet e Wells Fargo, Bank of America, platformën e pagesave online Zelle dhe institucione të tjera financiare.

Ndërkohë, javën e kaluar, një problem në sistemet e komunikimit shkaktoi ndërprerje në trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu, një defekt në shërbimet e Microsoft pengoi shumë përdorues të hynin në postën elektronike Outlook dhe të aksesonin platformat Microsoft 365, përfshirë Teams dhe Word.

Deri më tani, nuk janë bërë të ditura shkaqet e problemeve që kanë prekur shërbimet e Apple. /Panorama