Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një prononcim për FrontOnline, ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara, pas kthimit nga presidentja, duhet të trajtohet në Kuvend në tërësi dhe pa ndryshime, në përputhje me procedurat e përcaktuara.
Sipas tij, në rrethana normale, kthimi i ligjit duhet të bëhet nga presidentja dhe jo si rezultat i një iniciative të një partie politike.
“Pikë së pari, kur kthehet nga presidentja, në rrethana normale, sipas Rregullores së Punës, do të duhej nga presidentja e jo nga një parti politike. Dhe në përputhje me Kushtetutën, do të duhej ta kthente veton në Kuvend vetëm në situata kur cenohet interesi i popullit apo i shtetit, ose i ndonjë komuniteti specifik brenda Republikës”, tha Baraliu.
Baraliu vlerëson se rasti konkret nuk përbën një situatë të tillë dhe se deputetët duhet ta shqyrtojnë ligjin në tërësi, pa bërë ndryshime në përmbajtjen e tij.
“Në këtë rast nuk e kemi situatën e tillë dhe, në bazë të dispozitave të Rregullores, ata deputetë duhet ta trajtojnë të tërin, pa ndryshim”, deklaron Baraliu për FrontOnline.
Sipas Baraliut, partitë politike duhet të arrijnë një marrëveshje, në veçanti dy partitë më të mëdha, në mënyrë që ligji të procedohet në formën në të cilën është miratuar fillimisht.
“Duhet të trajtohet ligji në tërësi, prandaj, në përputhje me Rregulloren, është që të dakordohen partitë, sidomos dy më të mëdhatë, ta kthejnë ligjin siç është te presidentja’’, tha Baraliu.
Ai ka sqaruar se pas këtij veprimi presidentja duhet të ndërmarrë hapat e saj brenda afateve të përcaktuara, ndërsa ligji më pas mund të hyjë në fuqi.
“Dhe pastaj presidentja e ka veprimin e saj, mundet dhe do të duhet që pastaj brenda tetë ditësh të hyjë në fuqi”, thotë Baraliu.
Ndërkaq, profesori Baraliu ka vlerësuar se PDK-ja ose partitë e tjera mund të kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, por kjo duhet të bëhet përmes një procedure të re legjislative, e cila përfshin leximin e parë, shqyrtimin e amendamenteve dhe leximin e dytë.
“Dhe të bëjë pastaj PDK-ja apo kushdo tjetër, për një ndryshim e plotësim, do të mund t’i fuste amendamentet që PDK-ja nuk po i thotë publikisht, por duket i ka të dirigjuara nga zyrtarë të BE-së. Dhe do të bëhej pastaj në procedurë të rregullt, leximi i parë, i dytë, amendamentimi dhe do të hynte në fuqi”, përfundon Baraliu.



