Haradinaj u bën thirrje krerëve të shtetit: Shkoni vizitojeni Jakup Krasniqin

Deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, u ka kërkuar presidentes Justina Shiroka-Pula, kryeministrit Albin Kurti, kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, që ta vizitojnë ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Haradinaj, përmes një videoje të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, u ka bërë thirrje publike krerëve të shtetit që ta vizitojnë Krasniqin.

“Shpresoj që po ashtu, në këtë ditë kur do të votohet edhe projektligji i rikthyer nga presidentja, që vetë presidentja, kryeministri, ministrja e Drejtësisë dhe kryeparlamentarja të shkojnë dhe ta vizitojnë bacën Jakup në familje. Është obligim moral vetëm t’i jepet përkrahje morale. E dimë që mbrojtje juridike nuk ka kjo vizitë”.

Këtë kërkesë, Haradinaj e ka bërë duke theksuar se Krasniqi është njëri prej njerëzve kryesorë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Prandaj, thirrje publike është: shkoni për vizitë te ky burrë, i cili është njëri prej njerëzve kryesorë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njëri prej njerëzve kryesorë që është dënuar me 25 vjet për një vepër të cilën as ata vetë që e kanë shqiptuar nuk po e kuptojnë”.

Krasniqi, po qëndron për të dytën ditë në Kosovë, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Albanian Post ka mësuar nga burimet e saj se Krasniqi pritet të qëndrojë katër ditë në Kosovë. Megjithatë, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë deklaruar për Albanian Post se, për momentin, nuk mund ta konfirmojnë kohëzgjatjen e vizitës së tij.

Edhe të enjten, Krasniqi është transportuar nga selia e EULEX-it në Fushë Kosovë drejt shtëpisë së tij në Prishtinë, ku ka pasur mundësi të qëndrojë pranë familjarëve.

Kjo është hera e dytë që Krasniqi viziton Kosovën që nga transferimi i tij në Hagë, në nëntor të vitit 2020. Vizita e tij e mëparshme ishte realizuar në tetor të vitit 2024.

Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, aq sa edhe ish-presidenti Hashim Thaçi. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Në dënimet e tyre është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.