GJND-ja “ndëshkon” Mianmarin, shpallet fajtor për gjenocid ndaj popullsisë Rohingya

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka vendosur se Mianmari ka kryer gjenocid ndaj pakicës myslimane Rohingya në shtetin Rakhine të Veriut.

Në një vendim historik, gjykata ka kërkuar masa për garantimin e kthimit të sigurt të refugjatëve dhe kompensimin e viktimave.

Vendimi u shpall nga presidenti i GJND-së, Yuji Iwasawa, në Hagë, pas një procesi gjyqësor që zgjati shtatë vjet.

Ky është një moment historik për gjykatën, e cila në historinë e saj 80-vjeçare ka përcaktuar për herë të parë përgjegjësinë e një shteti për kryerjen e gjenocidit.

Çështja u iniciua nga Gambia, e cila e paditi Mianmarin për shkelje të Konventës së OKB-së për Gjenocidin të vitit 1948, duke u mbështetur në raportet për dhunën sistematike ndaj popullsisë Rohingya.

Gjatë operacionit ushtarak të vitit 2017, qindra mijëra pjesëtarë të kësaj pakice u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të kërkonin strehim në Bangladeshin fqinj. Të mbijetuarit kanë dëshmuar për përdhunime në grup, ekzekutime masive, djegie banesash dhe dhunë ekstreme ndaj grave dhe fëmijëve.

Mianmari i ka mohuar vazhdimisht akuzat për gjenocid, duke pretenduar se operacionet ushtarake kishin për qëllim luftimin e grupeve të armatosura që kishin sulmuar forcat e sigurisë.

Padia u mbështet edhe nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e përbërë nga 57 shtete. Ministri i Drejtësisë i Gambias, Dawda Jallow, deklaroi se çështja nuk ka të bëjë vetëm me parime juridike, por me njerëz realë dhe vuajtjet e një komuniteti të tërë të persekutuar.

Vendimi pritet të shtojë presionin ndërkombëtar ndaj udhëheqjes së Mianmarit, veçanërisht ndaj Min Aung Hlaing, i cili drejtonte ushtrinë gjatë operacionit të vitit 2017 dhe mori pushtetin pas grushtit të shtetit të vitit 2021.

Ndërkohë, çështja po ndiqet me vëmendje edhe për ndikimin që mund të ketë në procese të tjera ndërkombëtare, përfshirë padinë e Afrikës së Jugut kundër Izraelit për pretendimet për gjenocid në Gaza.

Për viktimat Rohingya, vendimi përfaqëson një shpresë për drejtësi dhe rikthim në vendlindje. Mohammed Osman, 20 vjeç, një nga të mbijetuarit e dhunës, tha se shpreson të kthehet në shtëpi për të kryer ritet mortore për prindërit dhe vëllain e tij më të vogël, të vrarë gjatë operacionit ushtarak.